PD: Qeveria dështoi me arkëtimin e taksave në muajin gusht, e vetmja gjë që rritur janë shpenzimet për luksin qeveritar

18 Shtator 2019, 16:17

TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar ditën e sotme kryeministrin Edi Rama se e ka zhytur ekonominë kombëtare në krizë të thellë. Përmes një deklarate nga selia blu, Këshilltari për Ekonominë në Partinë Demokratike Dorian Teliti, deklaroi se sot arkës së shtetit i mungojnë 80 milionë euro nga tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është treguesi kryesor i konsumit dhe i ecurisë së ekonomisë.

Ai tha se miqtë e Edi Ramës nuk paguajnë taksa ndërkohë që biznesi i qytetarëve po rrënohet nga gjobat.

Deklarata e Plotë

Edi Rama e ka zhytur ekonominë kombëtare në krizë të thellë.

Më pak të ardhura, më pak investime, më shumë shpenzime për luksin qeveritar.

Sot arkës së shtetit i mungojnë 80 milionë euro nga tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është treguesi kryesor i konsumit dhe i ecurisë së ekonomisë.

Aksioni arbitrar i tatimeve në kulmin e sezonit turistik rezultoi një dështim spektakolar. Ndërkohë që miqtë e Edi Ramës vazhdojnë të mos paguajnë, biznesi i qytetarëve të zakonshëm, vazhdon të rrënohet nga taksat, gjobat dhe dhuna shtetërore.

Pavarësisht propagandës, aksioni kundër bizneseve jo vetëm nuk e përmbysi dot rezultatin e performancës negative në tatime e dogana, por dha impakt akoma më negativ në treguesit e ekonomisë dhe në mbledhjen e të ardhurave.

Konkretisht, TVSH-ja e mbledhur nga tatimet në muajin gusht, TVSH e brendshme, në kulmin e aksionit tatimor dhe policor kundër bizneseve, ishte 11 mln euro më e ulët sesa gushti i vitit të kaluar, plot 33% më pak.

Pra, aksioni jo vetëm dështoi, por e përkeqësoi akoma edhe më tej ecurinë dhe klimën e të bërit biznes.

Më pak TVSH, më pak akciza, më pak taksa nacionale e taksa doganore në arkën e shtetit.

Gjithashtu më pak investime.

Në 8 muajt e parë të vitit janë financuar 56 milionë euro më pak për projektet e investimeve publike. Janë 56 milionë euro më pak për shkolla, spitale, rrugë, ujësjellësa, sepse prioriteti i Edi Ramës nuk janë qytetarët dhe zhvillimi i vendit.

E vetmja gjë që ka rritje është shpenzimi për luksin qeveritar.

Ky 8 mujor eshtë kulmi i abuzimit me shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes. Në vendin më të varfër të Europës, qeveria i ka rritur këto shpenzime me 32 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të dhënat e 8 mujorit nxjerrin në pah përkeqësimin e ekonomisë së familjeve dhe bizneseve shqiptare. Deri në fund të vitit përkeqësimi parashikohet të thellohet, nëse vendi vazhdon të qeveriset nga kjo klikë e korruptuar, e cila nuk punon për qytetarët, sepse nuk zgjidhet prej tyre.

Vendi ka nevojë urgjente për një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe me program të qartë për daljen nga kriza.

Alternativa e Partisë Demokratike është e vetmja zgjidhje që e çliron ekonominë nga kapja e një grushti oligarkësh dhe kriminelësh, duke e vendosur atë në funksionin të zhvillimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Alternativa e Partisë Demokratike për uljen e taksave, për eleminimin e gjobëvënies ndaj biznesit, për rritjen e investimeve në sektorët kyçë të ekonominë  është rruga e vetme e daljes nga kriza e thellë ku e ka futur vendin Edi Rama.

    No videos found.