PD 'tryezë paralele' për 'Zgjedhoren', Bardhi: Po bëjmë gati propozimet!

24 Tetor 2019, 11:41 | Përditesimi i fundit: 2019-10-24 15:26:33

TIRANE-Opozita jashtë parlamentare në kushtet kur ka bojkotuar komisionin e Reformës Zgjedhore ka zhvilluar një mbledhje paralele në selinë blu, që zgjati rreth një orë. Dy pikat e para që janë diskutuar sot kanë qenë në lidhje me financimin e partive dhe çështjet e administrimit të procesit zgjedhor. Opozita ka vendosur që grupet e punës të jenë tre dhe që të drejtohen nga ish-deputetët demokratë, Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso.

Produkti i opozitës së re pritet që të zyrtarizohet brenda 30 ditësh, ndërsa më pas Report Tv mëson se drafti do i dërgohet ambasadorit të OSBE-së për t'ia propozuar shumicës për të gjetur pikat e përbashkëta mes palëve. Në mbledhjen e sotme që u drejtua nga sekretari i PD-së Gazment Bardhi, ishte e pranishme nga LSI-ja Silva Caka, ndërkohë që edhe partitë e vogla aleate të PD-së kishin përfaqësues. Ndërkohë që në selinë blu zhvillohen tryeza paralele e opozitës, në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohet mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.