TIRANE- Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj se ka shkelur urdhrin e kryeministrit Edi Rama se pushteti lokal nuk duhet të shpenzojë fonde për dhurata dhe festa për fundvitit, pasi të gjitha ato duhet të shkojnë për të prekurit nga tërmeti.
"Askush nuk duhet të dedikojë fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucionet të qeverisjes vendore, për Vitin e Ri, për darka dhe dhurata", deklaronte Rama në mbledhje qeverie pak ditë pas tërmetit.
Zhupa shkruan se banorët janë ende pa një strehë ndërkohë që Veliaj shtron darka festive, në hakmarrje ndaj Ramës pasi ky i fundit e ka turpëruar publikisht.
"Banorët e Tiranës ende janë pa strehe edhe pa siguri pas termetit ndërsa Veliaj shtron darka festive edhe kundër urdhërit dhe VKM së Rames!
Pasi e urdhëroj të lyej shkallët e një banese sociale, pasi e turpëroi publikisht kur i tha se “nëse të duhet, ti e ha të gjalle gjelin e detit”, Erion Veliaj ka gjetur një formë hakmarrje ndaj Rames, duke i vënë në dyshim autoritetin!
Në kundërshtim me VKM e Ramës, dhe me deklaraten e tij publike që: “Askush nuk duhet të dedikoje fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucionet të qeverisjes vendore për vitin e ri, për darka e për valle”, Veliaj ka vazhduar ahengun festiv me administratorët e bashkise, anëtarë të këshillit bashkiak dhe të ftuar të tjerë të tij.
Shqipëria Solidare është thjeshtë sllogani, për qejfet e tyre edhe paratë për oligarket nuk kanë luajtur asnjë qindarkë!", shkruan Zhupa.