PD vijon akuzat për viktimat ndaj COVID: Qeveria po bën politikë me vdekjen!

6 Dhjetor 2020, 11:51

Partia Demokratike vijon akuzat ndaj qeverisë për fshehjen e numrit të viktimave nga COVID.

Sot me anë të një deklarate të bërë nga ish-deputeti Bardh Spahia, PD vijon me akuzat duke marrë si shembull konkret Shkodrës në të cilën sipas tij po fshihen shifrat.

"Shkodra është një nga shembujt tipik të fshehjes së të vërtetës nga qeveria. Pasi e la pa teste të mjaftueshme për muaj të tërë, qeveria po i mohon Shkodrës edhe të vdekurit.  E bën për të përfituar politikisht duke fallsifikuar të vërtetën. Sipas të dhënave që Ministria e Shëndetësisë jep çdo ditë me zë e figurë, në qarkun Shkodër me 5 bashkitë e tij, Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë e Fushë Arrëz kanë humbur jetën 62 persona për shkak të Covid-19.

Pra, kaq është numri i fataliteteve sipas ministrisë së shëndetësisë për 5 bashkitë e qarkut Shkodër që nga nisja e pandemisë deri më fund të nëntorit. Realiteti nuk është ky që jep qeveria! E vërteta është krejt ndryshe. Vetëm Bashkia Shkodër ka të regjistruar në zyrat e saj të gjendjes civile 80 persona, që kanë humbur jetën për shkak të Covid-19. Pra, nga nisja e pandemisë deri në fund të muajit nëntor, në Bashkinë Shkodër, pa llogaritur 4 bashkitë e tjera të qarkut, janë rregjistruar 80 vdekje covid nga 62 që raporton qeveria për të gjithë qarkun", thotë Bardhi mes të tjerash.

Sipas tij  Rama po përdor këtë praktikë për të mbuluar dështimin e tij në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga COVID.