Delegacioni i Brukselit mbylli takimet në Shqipëri me konkluzionin se Parlamenti duhet të vijojë punën me kandidatët e rinj, pasi zgjedhjet ishin të rregullta.
Delegacioni i Parlamentin Evropian i dha një goditje të fortë opozitës shqiptare në të treja shtyllat e saj për të rrëzuar qeverinë Rama. Djegia e mandateve dhe dhuna në protesta, është një vendim që cënon integrimin e Shqipërisë - thanë njëzëri përfaqësuesit e delegacionit të PE-së, disa prej tyre anëtarë të Partive Popullore Evropiane, ku vetë Partia Demokratike bën pjesë. Vjedhje të votave?! Parlamenti eshte legjitim dhe qeveria eshte legjitime. Nje qeveri tranzitore eshte e pakuptimte dhe do te demtonte reformat dhe hapjen e negociatave. Kjo kauzë e opozitës me pretendimet se zgjedhjet parlamentare të 2017-ës u bënë përmes shitblerjes së votës, referuar dhe përgjimeve ndja kryebashkiakut Vangjush Dako, sipas europarlamentarëve, nuk qëndron, pasi vetë ata thanë se i kanë vëzhguar zgjedhjet, dhe ato ishin mëse legjitime, korrekte, të njohura dhe të pranuara. ''Probleme sporadike nuk mund te vendosin ne pikpyetje rezultatet dhe çeshtjet e pergjimeve i takojne gjykatave, jo parlamentit'' . E shohin të pakonceptueshme dhe shprehen të mërzitur se si mund të ngrihen dyshime mbi përfundimet e tyre për zgjedhjet.
"Une kam vëzhguar zgjedhjet e 2017 dhe ishin korrekte (...) Zgjedhjet ishin të lira e të ndershme. Ne kemi qenë vëzhgues dhe kemi ekspertizën më të mirë. Probleme sporadike nuk mund të vendosin në pikëpyetje rezultatet. Dyshimet mbi përfundimet tona më mërzisin pak. Është çudi të dëgjoj nga politikanët tuaj që zgjedhjet e 2017 kanë qenë të këqija"
Cristian Preda dhe Tunne Kelam i Partive Popullore Evropiane
Kauza e tretë e opozitës është një qeveri tranzitore për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, një pretendim sërish i rrëzuar, Delegacioni i PE-së u shpreh në mënyrë të prerë se parlamenti dhe qeveria janë legjitim.
"Një qeveri tranzitore është e pakuptimtë dhe do të dëmtonte reformat dhe hapjen e negociatave"
Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.
Raportuesit për Shqipërinë në PE, Kut Fleckenstein, tashmë i ka humbur durimi, siç ai u shpreh, dhe për këtë i referohet një mesazhi të qartë që i ka dhënë kryetarja e LSi-së Monika kryrmadhi, se qëllimi i vetëm i opozitë, është ndërrimi i pushteteve.
"U zhgënjeva shumë nga kryetarja e LSI, për arsye se ajo tha vetëm një fjali në fund të takimit dje me Bashën dhe aleatët, se e kanë marrë vendimin e tyre, që në Shqipëri ka nevojë për ndërrim pushteti, dhe në rast se ne nuk e kuptojmë këtë gjë nuk është problemi i tyre. Ky është një mesazh i qartë dhe besoj se ata në Bruksel dhe ata që janë Shqipëri duhet t akuptojnë se në cilën anë ndodhet secili prej nesh",
Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein
"Zonja e Parë nuk duhet të pengojë negociatat", - u shpreh ai, duke ju referuar faktit që Kryemadhi është bashkëshorte e presidentit Ilir Meta, emërtim që ajo gjithmonë ka refuzuar ta pranojë. "Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat të ruajnë qetësinë. Pamjet e protestave vonojnë integrimin", u shpreh ai.
Nuk mungoi edhe një thirrje e Fleckenstein drejtuar Këshillit Evropian, për të vlerësuar arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Përtej krizës politike në Shqipëri, dhe interesave partiake të opozitës, siç Kelam u shpreh, vëmendja ndërkombëtare shkon tek reforma në drejtësi dhe vettingu, progresi i të cilave mori vlerësimin e tyre.
Edhe kryesuesi i delegacionit të PE-së, pret sinjale pozitive, që palët të jenë ulur në bisedime për të zgjidhur krizën. "Arrini konsensus dhe na dërgoni një sinjal pozitiv për negociatat", theksoi Tunne Kelam. Teksa bënë thirrje për dialog, ata refuzuan të ndërmjetësojnë.
"Ka ardhur koha t'i zgjidhni vet problemet tuaja"
Knut Fleckenstein
"Tani është puna juaj. Është problem i brendshëm i juaji te mblidheni me njëri-tjetrin"
Tunne Kelam
Delegacioni do ta raportojë në Komisionin Evropian në 5 mars, ndaj i lë kohë politikës të gjejë gjuhën dhe të dërgojë një sinjal pozitiv që të mundësojë hapjen e negociatave.
