SHBA/Homazhi i demokratëve për Floyd, në gjunjë në Kongres! 1.25 milion dollarë për lirim me kusht të policit Derek Chauvin

9 Qershor 2020, 09:07 | Përditesimi i fundit: 2020-06-09 14:30:37

Dy javë pas vrasjes së afrikano amerikanit George Floyd nga ana e policisë dhe që ngjalli protesta kundër racizmit dhe dhunës policore në të gjithë botën, anëtarët demokratë të Kongresit, me kryetaren Nancy Pelosi, u ulën në gjunjë për t’i bërë homazhe viktimës, imazhe të cilat menjëherë janë bërë virale.

Me demokratët amerikanë u bashkuan edhe dhjetra përfaqësues liberalë të Kongresit dhe të gjithë bashkë mbetën në gjunjë për 8 minuta dhe 46 sekonda, koha në të cilën Floyd mbeti i shtrirë në trotuar pa mundur të marrë frymë.

1.25 milion dollarë për lirim me kusht të oficerit policor Derek Chauvin

Një gjykatës amerikan ka vendosur shumën prej 1.25 milion dollarësh për lirim me kusht të oficerit policor Derek Chauvin, i cili doli në gjyq për herë të parë të hënën me akuzën e vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd.

Pas seancës së shkurtër dëgjimore përmes video-lidhjes nga paraburgimi ku ndodhet ish-oficeri i policisë, gjykatësja Jeannice Reding nga qarku Hennepin County Minneapolis ka planifikuar për 29 qershor seancën tjetër për të adresuar bazën e çështjes.

Gjykatësja së pari caktoi shumën prej 1 milion dollarësh dhe më pas e ngriti edhe me 250.000 dollarë.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Minesota, Mathew Frank tha se rëndësia e akuzës dhe forca e zemërimit të publikut kundër Chauvin mund ta detyronin me lehtësi të arrestuarin të ikte nëse lejohej të gjykohej në përgjithësi. Chauvin akuzohet për vrasje të shkallës së dytë.