Pensionet për emigrantët, dokumentet që u duhet për ta përfituar

1 Gusht 2019, 06:44 | Përditesimi i fundit: 2019-08-02 06:42:10

Fadil Kepi sqaron qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë për procedurat që u duhet të marrin pensionin

 

 

Emisioni “Këndi i Ekspertit” në Report TV, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, me rubrikën “Pensioni im”, ka mbyllur të mërkurën këtë sezon televiziv dhe do të rifillojë në muajin shtator. Si çdo javë në rubrikën “Pensioni im” ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë këtë javë nuk është ndalur në një temë të veçantë por u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve. Megjithatë ai duke pasur parasysh periudhën kur në Shqipëri kthehen shumë qytetarë që jetojnë jashtë vendin është ndalur pak më shumë duke sqaruar procedurat që u duhet emigrantëve që të marrin pensionin e pleqërisë.

 

 

 

Sot, krahas përgjigjeve për të interesuarit që do të na telefonojnë, do të flasim edhe për emigrantët, të cilët vijnë në Shqipëri dhe u duhet që të interesohen edhe për pensionet e tyre.

 

Kam dëgjuar të flitet se vitet gjatë të cilave është kryer shërbimi i detyrueshëm ushtarak, nuk do të njihen më si vjetërsi pune. Është e vërtetë?

Vitet e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak njihen si vjetërsi pune për efekt pensioni të pleqërisë, për pensionin e invaliditetit dhe për pensionin familjar, në bazë të vërtetimit që ka marrë personi i cili ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në vite, në muaj dhe në ditë. P.sh. ka pasur raste që shërbimi i detyrueshëm ushtarak në marinë ka qenë 4 vite, në Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë 3 vite, në brigada të tjera të punës ka qenë 2 vite ose 27 muaj. Por, ka pasur raste kur një djalë në moshën 18 vjeç, me shëndet të mirë, fillonte shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe fatkeqësisht i ndërronte jetë kryefamiljari, babai, i cili mbante me punën e tij edhe fëmijët e tjerë, atëherë djali lirohej me qëllim që të punonte dhe t’i shërbente vëllezërve të tij më të vegjël. Ditën që ai lirohej mund të kishte kryer p.sh. 10 muaj shërbim të detyrueshëm ushtarak. Pra, kaq muaj do t’i njihet si vjetërsi pune për pension pleqërie. E vërtetë është që shërbimi i detyrueshëm ushtarak, prej rreth 10 vitesh, nuk është më i detyrueshëm. Pra, atyre që e kanë kryer u njihet si vjetërsi pune, ndërsa të tjerëve që nuk e kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nuk ka sesi t’i njihet si vjetërsi pune.

 

Ne kemi trajtuar shumë tema interesante në emisionet tona.

Një ndër këto tema ka qenë edhe ajo e emigrantëve, për arsye se nga vendin ynë ka mbi 1 milion e 300 mijë persona në emigracion në shtete të ndryshme, të cilët kanë emigruar në moshë të re, rreth viteve 1990-1991. Në atë kohë kanë qenë rreth 30-35 vjeç dhe tani kanë plotësuar moshën për të dalë në pension. Në Itali dhe në Greqi, për vitet që emigrantët kanë punuar atje, marrin pension sipas legjislacionit të këtyre vendeve. Por legjislacioni shqiptar i merr në mbrojtje emigrantët, pra ata që kanë punuar në vendin tonë përpara se të emigronin, ose që kanë paguar kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore për 15 vite ose më shumë, përfitojnë pension në Shqipëri, kur plotësojnë moshën e caktuar për daljen në pension, pra 65 vjeç për burrat. Në Itali përfitojnë pension sipas legjislacionit italian kur kanë punuar të siguruar për 20 vite në këtë vend, por në moshën 67 vjeç. Në Greqi përfitojnë pension ata që kanë plotësuar shifrën prej 4.500 Ensima, si të thuash 4.500 pikë. Pra, u janë krjuar mundësitë emigrantëve që vitet e tyre të punës të vlejnë për të marrë pension pleqërie në të dy vendet, si në Shqipëri ashtu edhe në vendin ku kanë emigruar.

 

Flas nga Shijaku. Unë jam invalid dhe jam 58 vjeç. Kam punuar në Policinë e Shtetit për 23 vite. A përfitoj pension suplementar?

Të gjithë ushtarakët të Policisë së Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Kombëtar, të cilët plotësojnë moshën 47 vjeç burrat dhe kanë 15 vite punë si ushtarakë efektivë, kur dalin në rezervë ose në lirim, marrin gjatë 2 viteve të para pagesë kalimtare, 2 muaj paguhen me pagë mujore të plotë 100% dhe 22 muaj paguhen me 50% të pagës mujore. Pastaj dalin në pension të parakohshëm deri në moshën 65 vjeç. Në moshën 65 vjeç ata marrin dy pensione: pension pleqërie sepse vitet kur kanë përfituar pagesë kalimtare, pra 2 vitet kur kanë dalë në rezervë ose në lirim, plus edhe vitet kur kanë marrë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihen të gjitha si vjetërsi pune si civilë dhe në moshën 65 vjeç marrin pension pleqërie, vlera financiare e të cilit varet nga vitet e punës dhe nga paga për këto vite pune. Gjithashtu marrin edhe pension suplementar, i cili llogaritet dhe paguhet me 1% të pagës mesatare neto referuese, shtesë mbi pensionin e pleqërisë, për aq vite sa kanë shërbyer si ushtarak efektivë. Ky pension suplementar nuk mund të jetë më shumë sesa gjysma e pensionit të pleqërisë. Zotëria është ende i ri, pra nuk mund ta përfitojë tani pensionin suplementar. Meqenëse ai është invalid, ka të drejtë që të përfitojë pension invaliditeti sipas përcaktimi dhe vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si edhe shumën prej 3.300 lekësh të rinj në muaj, e cila jepet nga fondet e bashkive. Por, sqarime më të hollësishme zotëria mund të marrë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

 

Do të lexoj një mesazh, me anën e të cilit një zotëri na pyet se ku mund ta marrë librezën ushtarake? Zotëria që na shkruan është nga Çerma, por shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Kavajë.

Zotëria duhet që të interesohet në Ministrinë e Mbrojtjes sepse aty janë të centralizuar të gjitha dokumentet e të gjithë atyre personave, të cilët kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Nga koha kur zotëria ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak e deri tani, kanë ndodhur shumë ndryshime, si p.sh. reparti ushtarak mund të jetë shkrirë ose mund të jetë transferuar. Sidoqoftë, deri tani, Ministria e Mbrojtjes me shumë kujdes i ka zgjidhur këto probleme.

 

Një zonë na shkruan: “Jam e ve, burri më ka vdekur në minierë para 8 vitesh. Jam 55 vjeçe dhe jam e sëmurë nga zemra. Kam vajzën 18 vjeçe. A më takon pensioni?”.

Zonjës i takon pension familjar nga bashkëshorti, në masën 50% të pensionit të tij, në rast se nuk ka tokë, në rast se është pa punë, në rast se nuk është punëdhënëse. Dhe në qoftë se vajza është 18 vjeçe dhe është nxënëse ose studente, deri në moshën 25 vjeçe, ajo përfiton 25% të pensionit të babait të saj. Në rast se nënës nuk i takon pension familjar sepse është e punësuar, ka tokë ose është punëdhënëse, atëherë vajzës i takon të marrë 50% të pensionit të babait, deri në moshën 25 vjeçe.

 

Një zotëri na shkruan: “Vjehrra ime ka dalë në pension më 15 nëntor 2018. Asaj i janë njohur vetëm 20 vite kontribute, kurse 17 vite që ka punuar në fermën e Gosës nuk i janë njohur. Kemi bërë kërkesa me shkrim, por përsëri nuk i janë njohur këto vite. Çfarë duhet të bëjmë”.

Zonja duhet që të bëjë një kërkesë me shkrim në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Kavajë. Kjo agjenci do ta dërgojë kërkesën e zonjës Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Arkivi i Sigurimeve Shoqërore që ndodhet në Lundër ka të grumbulluara të gjitha dokumentet e personave që kanë punuar në të gjitha llojet e qendrave të punës. Punonjësit e Sigurimeve Shoqërore do t’i kërkojnë dokumentet e zonjës dhe do t’i kthejnë asaj një përgjigje zyrtare që ekzistojnë ose jo dokumentet e viteve të saj të punës në kooperativë. Vite pune, për efekt pensioni, qoftë në ish-kooperativat bujqësore, qoftë në ish-ferma, njihen që nga mosha 16 vjeç, pavarësisht nga gjinia. Pasi të marrë përgjigjen e kërkesës së saj, zonja mund t’i shkruajë edhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

 

Siç e thamë edhe fillim, do të theksojmë edhe një herë disa porosi për emigrantët, të cilët këto ditë kthehen në vendin tonë për pushime.

I përshëndes të gjithë emigrantët dhe u kujtoj që, kur vijnë në vendin tonë, bashkë me librezën e punës dhe me kartën e tyre të identitetit, të gjejnë pak kohë dhe të shkojnë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore që ndodhen sa më afër vendbanimit të tyre. Aty duhet që të bëjnë përllogaritjen e viteve të tyre të punës dhe kohën e saktë se kur duhet të dalin në pension pleqërie. Këtë vit, të gjitha femrat pavarësisht se kanë punuar në emigracion apo në vendin tonë, dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, deri në datën 31 dhjetor 2019. Ndërsa burrat dalin në pension në moshën 65 vjeç. Në vitin e ardhshëm, pra në vitin 2020, burrat do të vazhdojnë që të dalin në pension në moshën 65 vjeç, por grave u shtohen edhe 2 muaj, pra do të dalin në pension kur të plotësojnë moshën 61 vjeçe. Për të përfituar pension në vendin tonë, si për femrat ashtu edhe për meshkujt, duhen minimalisht 15 vite pune të siguruara, nga mosha 16 vjeç e lart. Në qoftë se nuk i kanë këto 15 vite pune të siguruara, përpara se të plotësojnë moshën e daljes në pension, kanë të drejtë që të paguajnë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore, të cilat janë me leverdi. Pra, u sugjeroj të gjithë të interesuarve, që të paraqiten pranë Agjencive të Sigurimeve Shoqërore për të përllogaritur me kujdes vitet e tyre të punës, në mënyrë që kur ekziston mundësia, të plotësojnë vitet që u mungojnë dhe të përfitojnë pension edhe në vendin tonë. Kontributi vullnetar i sigurimeve shoqërore është 5.600 lekë të rinj në muaj ose 67.000 lekë të rinj në vit.