'Për Fëmijërinë e Vjedhur', marshimi kundër përdhunimit vijon edhe në Elbasan

6 Qershor 2020, 18:17

Përdhunimi i 15-vjeçares në Tiranë ka shkaktuar shumë reagim në publik dhe pas protestave të ditës së enjte në kryeqytet, ditës së sotme në Sarandë, Vlorë dhe Korçë është organizuar edhe një marshim në Elbasan.

Gjatë pasdites së sotme një manifestim për ti thënë jo pedofilisë, përdhunimit dhe ngacmimeve seksuale u mbajt në hyrje të portës së kalasë në Elbasan . Pavarësisht shiut, me pankarta në duar, maska për shkak të Covid-it dhe mesazhe të shumta sensibilizuese, u kërkua forcimi i dënimit për abuzuesit. Motoja edhe në Elbasan ishte “Për Fëmijërinë e Vjedhur”, ndërsa gra dhe vajza mbanin në duar pankarta. Një zëri ato kërkuan të dënohen dhunuesit, madje shprehën dakordësinë e tyre që për raste të rënda të rikthehet dënimi me vdekje.

"Të luftosh për gruan edhe vajzën dmth të luftosh për jetën. Uroj që në vazhdimësi të jetë një start i mirë për ëë gjitha kauzat e bukura në emër të jetës. Do t'ju lutesha shumë që të mos heshtni kurrë para asgjëje. Mbroni fëmijët, nxënësit, kolegët, fëmijët, por para se të gjithash mbroni veten tuaj", thotë Anisa Bahiti, organizatore nga Shoqëria Civile.

Ajo që ra në sy në Elbasan në marshimin kundër abuzimit dhe mbrojtjen e viktimave ishte prezenca fare e ulët e burrave. Psikologjia e pranishme në manifestim kërkoi denoncim të fenomenit, pasi abuzimi seksual është një shënjim i cili do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës personin e abuzuar.