Për herë të parë në garë për deputet, Këlliçi në Report Tv: Boshti i listave të PS është me kriminelë! PD sjell modele

13 Mars 2021, 18:14

#reportTV #lajmeshqip #lajme Partitë politike kanë nisur prezantimin e kandidatëve për deputetë në të gjithë vendin, e njëkohësisht edhe krahasimin me kundërshtarët, se cilat lista përfaqësojnë më denjësisht qytetarin shqiptar që do ta votojë në 25 prill. Tirana, si një nga epiqendrat e luftës elektorale, prodhoi surpriza, duke sjellë në garë figura të reja. Për herë të parë, demokratët i besuan edhe kreut të FRPD, Belind Këlliçit, kandidimin për deputet. Për Report Tv, ky i fundit thotë se selia blu, ka prodhuar një listë me modele normale. “Partia Demokratike ka promovuar të rinjtë, që kanë bërë opozitë, që kanë qëndruar pranë qytetarëve, aktivë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve. Kemi një kompozim të figurave të përvojës me risinë”, tha Këlliçi Këlliçi pranon se lista prodhoi debat, por kundërshtimet i quan normale në një parti të hapur. “Ka patur debate të brendshme, është krejt normale, jemi parti e hapur, por në fund është mbështetur mendimi i shumicës. Kemi pritshmëritë tona në çdo qark dhe në rang kombëtar, do të jetë një rezultat surprizë sepse e dalloj te qëndrimi i njerëzve, që thonë mjaft më, ka ardhur koha për të ndryshuar, dhe këtë ndryshim do ta sjellim të gjithë bashkë", tha ai Boshti i listave të PS, sipas Këllicit, janë kriminelët. "Në mes të pandemisë heq një nga figurat më të rëndësishme, lë sistemin shëndetësor me një ekspert minus, për të shërbyer si fasadë e për të mbuluar të inkriminuarit që ndodhen brenda listave të PS, që përbeëjnë boshtin e PS. Lista e Durrësit është me 3 kriminelë brenda", tha Këlliçi. Nënshkrimi i marrëveshjes për Bashkëpunim pas zgjedhjeve me LSI, kandidati për deputet i Tiranës, nuk e sheh si diçka që mund të zbehë besimin e demokratëve. Sipas tij, firma e hedhur mes Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit mëngjesin e 1 marsit, garanton fitoren dhe ndryshimin.