Për të mbështetur procedurën e privatizimit Qeveria “Berisha 1” votoi 1 akt normativ dhe 3 VKM

22 Shkurt 2021, 19:10 | Përditesimi: 22 Shkurt 2021, 19:55

Nuk është një rastësi fakti që kontrata për shitjen e Kompleksit Sportiv Partizani që Report TV e disponon, bazohet ligjërisht në një akt normativ dhe në tre vendime të këshillit të Ministrave, të gjitha të aprovuara posaçërisht midis 2007 dhe 2008 nga qeveria dhe parlamenti i Sali Berishës. Këto akte legjislative hapën rrugën për procedurat dhe riafirmuan të drejtat ekskluzive të ish-pronarëve, pra të familjarëve të kryeministrit. Më 21.11.2007, për shembull, kur procedurat e privatizimit të Kompleksit Partizani janë në zhvillim e sipër, Sali Berisha ka aprovuar në këshillin e ministrave VKM nr. 794 për ''Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe për procedurën e shitjes''. Në VKM theksohet ndër të tjera se '' Kur ish-pronari i truallit është pronar i objektit duke përdorur të drejtën e parablerjes, trualli kalon në favor të tij pa shpërblim ''. Ky është saktësisht rasti i Jamarber Malltezit dhe trashëgimtarëve të tjerë: Nga agjencia e kthimit dhe kompensimit dhe pronave të kontrolluara nga Berisha, ata kanë marrë që nga viti 1996 të drejtën e parablerjes mbi ndërtesat që ndodhen në tokën e Kompleksit sportiv dhe të cilat duhet të paguajnë shtetin, ndërsa për truallin që u është kthyer nga vetë AKKP, ata nuk kanë pse të paguajnë asgjë pasi konsiderohen se janë ish-pronarë.  Për sa i përket kostos së ndërtesave, e llogaritur nëpërmjet një Raport Vlerësimi nga Ministria e Ekonomisë, ajo duhet paguar për 80% me bono të privatizimit dhe vetëm 20% me para. Bonot e privatizimit, siç dihet, janë në fakt letra pa asnjë vlerë, dhe për këtë arsye, shuma e vetme që ish-pronarët duhet të derdhen në arkat e shtetit është 20% e vlerës së ndërtesës. Vlera e truallit të ish-Kompleksit Partizani, përfituar falas nga ish-pronarët, është përllogaritur mbi 6 milionë euro, ndërkohë që ka dyshime mbi llogaritjen e vlera e  ndërtesave që është bërë me Raportin e Vlerësimit.

r.k./Shqiptarja.com