Përafrohen LVV-LDK, marrëveshja mund arrihet para seancës konstituive?!

24 Dhjetor 2019, 14:45

Sipas mediave kosovare, Lëvizja Vetëvendosja dhe LDK kanë përafruar qëndrimet për arritjen e koalicionit mes këtyre dy partive dhe se koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së, mund të arrihet edhe para seancës konstituive, e cila pritet të mbahet këtë të enjte.

Në përafrimin e marrëveshjes, përjashtohet posti i presidentit, i cili është lënë që të diskutohet më vonë, afër kohës kur pritet të bëhet zgjedhja e tij.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, ekzistojnë të gjitha shpresat dhe mundësitë që të gjitha elementet e marrëveshjes për koalicion qeverisës, të sqarohen dhe zgjidhen para datës 26 dhjetor.

“Realisht, do të jetë e panatyrshme që për një pozicion të vonohet arritja e marrëveshjes. LDK-ja ka nevojë të bisedojë edhe më tutje dhe të arsyetojë qëndrimin lidhur me zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Haziri për Europa e Lirë.

Gjithçka do të bëhet e qartë këto ditë, kur pritet të bëhet edhe takimi i radhës mes krerëve të VV-së dhe LDK-së, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Konstituimi i Kuvendit pritet të ndodhë më 26 dhjetor dhe nëse do të ketë koalicion mes VV-së dhe LDK-së, atëherë pritet që të votohet fillimisht kryetari i Kuvendit, për tu proceduar pastaj me zgjedhjen e posteve tjera si në Kuvend, po ashtu edhe në qeverinë e re të vendit.

Ndërkohë, vonesat në krijimin e qeverisë së re në Kosovë nuk kanë kaluar pa pasoja.

Prej më shumë se pesë muajsh Kosova po funksionon me një qeveri në dorëheqje ndërsa po bëhen tre muaj që nga zgjedhjet e parakohëshme dhe ende nuk ka një marrëveshje për qeverinë e re. Partitë që dolën të parat, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, ndonse janë takuar disa herë nuk kanë arritur një marrëveshje dhe vendi po zgjat agoninë në një boshllëk institucional që mund të ketë pasoja për të ardhmen.