Performanca ‘Fryma e artistit’ nga Flutura dhe Besnik Haxhillari tek ‘Reja’

26 Maj 2019, 15:51

Artistët Flutura Preka dhe Bensik Haxhillari prej 20 vitesh punojnë së bashku, si duo artistike. Nën emrin “The two gullivers” (Dy Guliverët) ata i janë përkushtuar artit të tyre, performancave artistike. Koncepti i Guliverit, është inspiruar nga fabula e Jonathan Swif, që përfshin idenë e udhëtimeve, emigrimit. Ndërsa,këto ditë në “Reja fest” dy artistët sollën para publikut shqiptar “Fryma e artistit” një perfomancë, së cilës iu bashkuan të rritur edhe të vegjël. Ndërsa, arti i tyre është frymëzuar nga vepra e njohur e Marcel Duchamp “Boîte-en-valise” (1935, një valixhe që funksiononte si një arkiv portative e kopjeve të veprave të artit dhe shënimeve të procesit të Duchamp). Pas arieve të Ravelit dhe Verdit  dy artistët nisën një bashkëbisedim me publikun, për t’u shpjeguar artin e tyre, “Frymën e artistit”.

 “Vepra është e përbërë nga dy pjesë nga fryma jonë edhe e publikut. Një performancë, që s’ka kuptim pa prezencën e publikut”, shprehet Flutura Preka Haxhillari.

Ndërsa, artisti Besnik Haxhillari e krahason këtë performancë artistike me momentin kur një prind i frynë tullumbacen fëmijës.

“Kur një fëmijë, i kërkon një tullumbace prindit, ai i fryn të parës, të dytës, edhe tek e treta thotë: u lodha. Ky gjest kthehet në një sfidë fizike, që në demarshin tonë artistik është performanca e vërtetë, që ndodh në 12 orë, që kjo sfidë fizike transformohet në një ritual të të fryrit të një tullumbaceje, që me kalimin e orëve harron që je duke bërë një gjest të thjeshtë edhe performanca kthehet në një ritual për ne. Një gjest i thjeshtë nga jeta, transformohet në një performancë artistike, në një eveniment artistik, që bëhet jo vetëm kur artisti e përjeton krijimin e veprës, por edhe kur publiku në mosha të ndryshme luan, një fëmijë luan, një studenti i arteve reflekton, se çfarë është kjo ide kaq e thjeshtë, që kthehet në një eveniment. Edhe kështu të gjithë njerëzit bëhen pjesë e performancës, sipas pozicionin që kanë me objektin, që ne propozojmë”, thotë Besnik Haxhillari.

Artistja Flutura Haxhillari teksa tregon se këtë perfomancë e kanë bërë tre herë në Kanada, në vendin ku jetojnë, thotë edhe se në Shqipëri jeta artistike ka ndryshuar shumë, festivalet e perfomancës apo qendrat e artit kanë krijuar platforma, që artistët të rikthehen për të prezantuar eksperiencën, që kanë fituar në vende të ndryshme.

“Sfida për të ardhur me një perfomancë-instalacion, ishte se si të adoptosh një kulturë me një karakter shumë të fortë, duke i shtuar edhe një element tjetër që është i natyrshëm edhe i ri. Nëse kjo strukturë është organizuar mbi bazën e një kubi, në çdo kub është menduar një tullumbace. Ne kemi transformuar këtë element simbolik, në një element të vërtetë. Ajo që na pëlqen tani është që tullumbacet shpërndan nëpër qytet edhe fëmijët luajnë me të. Fryma e artistit shpërndahet në qytet. Unë jam i lumtur nëse një komunitet i madh është i kënaqur, mendoj se arti nuk ka çfarë të arrijë më shumë”, thotë Besnik Haxhillari.

Vepra e artit, për artisten Preka, është krijuar përmes frymës, por në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme edhe ndërthurja e disiplinave të ndryshme të artit, integrimi për herë të parë në veprën e tyre perfomative.

Themeluesja e qendrës së artit, “Harabelit”, Ajola Xoxa, rrëfen se ndërhyrja e sopranos këtë performancë, nuk është rastësore, sepse ajo interpreton arie të dy kompozitorëve.

 “I pari i është një kompozim i Valmirit, i cili imiton lëvizjen e tullumbaceve, ndërsa në pjesën e dytë është Requiem i Verdit. E zgjodhëm, sepse e gjithë vepra “Fryma e artistit”, që mbahet në një tullumbace është si një lloj tentative, për të kufizuar diçka që është e lirë, edhe për shkak të tentativës, që ka njeriu për të poseduar gjërat kohën. Është masive edhe shumë e bukur, që në këtë moment ngjanë si një skulpturë imponuese. Është pak si kafka e Hamletit, që të kujton ty, se gjithçka është e përkohshme. Edhe nuk mund që ta posedosh lirinë edhe frymën e artistit. Është një lloj parodie, që nuk kërkon që të jetë e rëndë, si vepër, por që të të bëjë që të mendosh, si vepër”, shprehet Xoxa.

Më tej Haxhillari shton se performanca është më e ndërgjegjshme për këtë dimension të jetës, që është e përkohshme, prandaj edhe duhet gëzuar edhe duhet shijuar. “Performanca asnjëherë nuk është e stabilizuar si një formë, por ka lindur për të ndryshuar raportin që kemi me krijimin akademik. Performanca nëpërmjet formës së lëvizshme mendon që të sulmojë në çdo moment artin që nuk tenton të lëviz”, thotë Haxhillari.

Në fund të takimit artistët vendosën, që akti artistik final të vendosej nëpërmjet votës së publikut, ku u zgjodh që performanca të mbyllej me “Bolero”-n e Ravelit, ndërsa tullumbacet mos të çaheshin, por të shpërndaheshin në qytet. Reja- nga Fujimoto feston 3-vjetorin e krijimit të saj me një organizim eventesh që do zgjasin deri më 30.

Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari

Lindur në Shqipëri, Flutura Preka & Besnik Haxhillari (The Two Gullivers), kanë studiuar artet pamore në Tiranë (FAB), Lausanne (ECAL), Berlin (HDK) e në Montréal (master e Phd në UQÀM). Që prej vitit 1998 ata krijojne nen emrin artistik The Two Gullivers. Ata kanë prezantuar veprat e tyre performative në : Biennale di Venezia (1999), në After the Wall, Hamburger Bahnhof Berlin (2000), në Bejing Biennale (2005), në VIVA Art Action (2010) à Montréal, në Galerie Leonard & Bina Ellen, Montréal (2013), Musée National des Beaux-Arts du Québec (2016). Ata jane perfshire ne antologjitë Installation art in the new millenium (2003), East Art Map (2006) dhe kane qenë pjesë në Marina Abramovic: The Artist is Present (2010). Besnik Haxhillari është profesor në Département de philosophie et des arts, Université du Québec à Trois-Rivières (UQTR) Kanada. Ai interesohet kryesisht mbi procesin e krijimit dhe gjenetikën e artit të performancës nëpërmjet vizatimit përgatitor. Flutura Preka është artiste et kërkuese, anëtare e grouit të kërkimeve universitare URAV, (UQTR), Kanada. Kërkimet e saj janë mbi problemet e re-enactment (rikonstitucion) në performancë et në artin bashkëkohor.