Teksa prej javësh është devijuar qarkullimi tek sheshi shqiponja, për shkak të punimeve që po bëhen për ndërtimin e tuneleve nën tokë, për të avancuar me projektin për Unazën e Madhe të Tiranës, Balluku thotë se 4 prej tuneleve janë përfunduar.
“Përsa i përket unazës së madhe ajo ka kompleksitet tjetër. Ka problem shpronësimet, dhe është e vështirë të ndërtosh në kryeqytet sot pasi janë zona të tëra informale të ndërtuara rreth e përqark kryeqytetit apo edhe qytete të mëdha ku ne ndërtojmë të cilat janë informale. Katër tunelet e para janë pothuajse në përfundim dhe mendojmë që shumë shpejt një pjesë të trafikut ta kalojmë tek këto tunele para se të bëjmë hapjen finale, ndërsa po punojmë në tunelin e pestë në kushte maksimale. Duke nisur nga nëntori 2020 dhe deri në muajin mars 2021 tunelet e nëntokës do të bëhen të disponueshme. Ndërkohë punohet në lotin e Pallatit me Shigjeta me shumë ritme të shpejta dhe gjithashtu edhe në lotin e dytë”, sqaron ministrja.
Kalimi në tunelet e nëndheshme do të jenë të kontrolluara nga një qendër monitorimi që do të japë informacion për qytetarët për drejtuesit e mjetit për qarkullimin.
“Por mos të harrojmë që tek rrethrrotullimi do të jenë 5 tunele, dhe kur ato do të jenë funksionale do të jetë shumë interesante që të shikojmë se si edhe në vend mund të kemi një vepër kaq të komplikuar e cila do të menaxhohet në mënyrë automatike, pasi tunelet që ndodhen nën rrethrrotullim, do të menaxhohen nga një qendër speciale e menaxhimit të tuneleve dhe do të pasqyrohet nëpër ekranet LED shumë të mirë studiuara që nuk shqetësojnë drejtuesit e automjeteve por që do japin informacione të rëndësishme se cili tunel të dërgon ku dhe me radhë”, tha Balluku.
Ndërsa rruga e Arbrit për Ballukun quhet e përfunduar edhe pse afati që ka kompani për ta dorëzuar mbyllet në nëntor 2021.