TIRANE- Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku përfundon në Gjykatë me tre akuza. Report Tv ka mësuar se prokurori Kolë Hysenaj i ka komunikuar avokatit të Kajmakut, Isuf Shehu akuzat për falsifikim formularësh vula e stampa, ushtrim kompetencash përtej afatit dhe falsifikim dokumentesh kryer në bashkëpunim.
Kajmaku do të përballet me drejtësinë pasi humbi mandatin për efekt dekriminalizimi pas denoncimit nga Partia Demokratike se ai kishte fshehur një dënim të një dekade më parë në Greqi.
Po ashtu, një tjetër hetim me të cilin Kajmaku pritet të përballet në gjyq, është dhe ai i ushtrimit të mandatit të kryebashkiakut pasi e kishte humbur atë më parë.
Agim Kajmaku prej më shumë se dy muaj ndodhet në arrati ndërsa pritet që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë, nëse ai nuk arrestohet deri në nisjen e gjykimit.
Ndërsa avokati i tij Isuf Shehu ka deklaurar se klientin i tij wshtw i pafajshëm pasi asnjë nga pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë.
Agim Kajmaku u zgjodh kryebashkiak në zgjedhjet lokale të 30 qershorit ndërsa tani me tre akuza rrezikon nga gjobë deri në 5 vite burgim.
Pak ditë më parë në gjykatën e Tiranës Kajmaku paraqiti dhe kërkesë për zëvendësim mase sigurie, ndërsa kjo seancë u shty pasi nuk ishte paraqitur kërkesa sipas formës së kërkuar nga ligji.