Përfundon marrja në pyetje e Presidentit Hashim Thaçi në Prokurorinë e Posaçme në Hagë

17 Korrik 2020, 14:01

Ka zgjatur më shumë se 7 orë seanca e fundit e katër ditë deklarimeve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme në Hagë, që trajton pretendimet për krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ai tha pasi doli se tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë me paanshmëri dëshmisë së tij në lidhje me akuzat ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të ngritura më 24 qershor.

Presidenti Thaçi tha se për katër ditë me radhë pati mundësinë “të jap sqarimet e mija për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës dhe përpjekjet e mija për paqe, stabilitet, zhvillim dhe progres. Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të jap dhe sqaroj informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mija gjatë luftës, gjatë periudhës që mbulon pra mandati i Gjykatës Speciale”.

Duke i cilësuar seancat si produktive, presidenti Thaçi nënvizoi se “tani i mbetet prokurorit dhe gjykatës që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara. Në çdo rast, më lejoni të theksoj se lufta jonë ka qenë e drejtë sepse ka qenë luftë për liri, pikërisht që ka qenë luftë e drejtë ne kemi pasur mbështetjen e botës demokratike SHBA-së, BE-së dhe të NATO-s, rrugëtim ky që ka zgjatur i suksesshëm, i përbashkët tash e dy dekada dhe do të jetë i përjetshëm. Pikërisht përpjekjet për të rishkruar e ritheksoj historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por e vërteta e jonë e dhimbshme dhe krenare është e pastër si loti ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshoj askush, ajo është e drejtë e pastër dhe jemi krenarë”, tha ai.