Përfundon mbledhja e Kryesisë së PS, Rama largohet në këmbë, zbulohen porositë

8 Shtator 2018, 12:15 | Përditesimi i fundit: 2018-09-08 13:58:00

Një ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Partia Socialiste mblodhi për 30 minuta edhe Kryesinë e saj.  Siç raporton gazetarja Esionia Konomi  për Report TV kryeministri ka njohur me detyrat sekretarët e rinj që dolën nga mbledhja e djeshme e Asamblesë, po ashtu ka dhënë edhe këshilla për të gjithë ministrat.

Kur na ndajnë më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme vendore, Rama është fokusuar tek fushta dixhitale. Sipas tij, të gjithë të zgjedhurit e PS përveç angazhimit në terren, duhet të punojnë fort për të fituar atë që e quajti beteja 'on line'.

Konomi raporton se pas kësaj mbledhje kryeministri Rama udhëton drejt New York-ut. Atë e pamë të largohet në këmbë, ndërsa shoqërohej me Gramoz Ruçin.

Sekretarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali konfirmoi menjëherë pas mbledhjes se deputeti i Kurbinit Gjetan Gjetani ishte përjashtuar që dje nga Partia. 

"Shkarkimi s’është kompetencë e kryesisë. U diskutua dje në Asamblenë Kombëtare dhe pas largimit të gazetarëve ne kemi një proces votimi. Na duhet një grup parlamentar kompakt. Një parti dhe një grup parlamentar s’ekzistojnë më vete, por bashkë"

Elisa Spiropali

Duke u ndalur tek riorganizimi, Spiropali zbuloi se kryetarët e bashkive do të mblidhen për të parë problematikat e më pas do të bëhet një analizë për zgjedhjet në të gjithë territorin. Ndër të tjera ajo tha se PS po bën një përpjekje serioze për të afruar në radhët e saj njerëz të rinj, për të koordinuar përpjekjet e grupit parlamentar, në mënyrë që ligjet dhe politikat të shkojnë tek njerëzit. 

Socialistja nuk i kurseu thumbat edhe për opozitën, kur tha se ata kanë zgjedhur ta zhvendosin betejën në hotele me 5 yje.

“Ne nuk diskutojmë me emra në kryesinë e PS-së dhe parimi ynë është i thjeshtë, ne refuzojmë të bëhemi pjesë e gic-miceve me opozitën që betejën e bën në hotele me 5 yje.

Elisa Spiropali