Përfundon ndërtimi i HEC-it të Moglicës, rritet prodhimi i energjisë me 17%

7 Janar 2020, 19:13

Ka përfunduar ndërtimi i hidrocentralit të Moglicës, që është edhe hidrocentrali i dytë që ndërtohet në rrjedhën e lumit të Devollit. Prodhimi vjetor në hidrocentralin e Moglicës do të arrijë 475 milionë kilovatorë. Duke llogaritur edhe HEC-in e Banjës, që ka përfunduar dhe vënë në punë nga kompania norvegjeze Stakraft, dy HEC-et e Devollit parashikohet që së bashku do të prodhojnë 729 milionë kilovatorë në vit, duke mundësuar rritjen e prodhimit të energjisë në Shqipëri me 17%.

Vlera totale e investimit të Statkraft-it për këto dy hidrocentrale arrin në mbi 535 milionë euro. Ish ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri shkruan në një postiom në Facebook se “përfundimi i ndërtimit të HEC Moglicës, në kuadër të projektit të Statkraft për Kaskadën e Devollit, është një lajm shumë i mirë për sektorin elektro-energjetik në Shqipëri. Pas mbushjes së rezervuarit, do të bëhet i mundur fillimi i prodhimit të energjisë", shton ai.

Gjiknuri shton më tej “Krenar që jo vetëm garantuam kushtet optimale për mbarëvajtjen e këtij investimi por dhe, përmes amendimit të kontratës, shmangëm izolimin e banorëve duke bashkëfinancuar me kompaninë koncesionare ndërtimin e rrugëve zëvendësuese që lidhin fshatrat me akset nacionale. Gjithashtu, u garantua strehimi i të gjithë banorëve të prekur nga projekti në Moglicë dhe Banjë”. HEC Moglicë është hidrocentrali më i madh në kuadër të Projektit Hidroenergjetik të Devollit që u zhvillua në zonën e bashkive Maliq, Korçë dhe Gramsh, përkatësisht në Qarkun e Korçës dhe të Elbasanit.

Zbatimi i aktiviteteve të ndërtimit filloi në vitin 2015. HEC Moglicë shfrytëzon një lartësi prej rreth 300 metra ndërmjet lartësive 650 dhe 350 metra mbi nivelin e detit. Ajo përbëhet nga diga me bërthamë asfalti dhe mbushje me material vendi me një lartësi prej rreth 167 metra e lartë, e cila do është një nga më të lartat në botë të llojit të vetë. Rezervuari ka një vëllim total prej rreth 400 milion m³ dhe një sipërfaqe prej rreth 7.2 km². Centrali i Moglicës e merr ujin nëpërmjet një tuneli rreth 10.7 Km të gjatë nga rezervuari i Moglicës. HEC Moglicë përdor dy njësi të mëdha turbinash Francis.