Përfundon Samiti i Parisit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

10 Korrik 2020, 14:41

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, zhvilluan sot një video konferencë më kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ishte paraparë të mbahej në Paris, por duket se gjerat ndryshuan edhe për shkak të pandemisë së COVID-19-tës.

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Emmanuel Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiç.

Sipas mediave në Kosovë, Kryeministri Hoti ka prezantuar tri parimet kryesore: integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe s’mund të jetë pjesë e negociatave, rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë Hoti ka thënë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të ketë si rezultat final edhe njohjen e shtetit të Kosovës në OKB. Ai ka kërkuar gjithashtu se duhet të zgjidhet edhe fati i personave të pagjetur dhe të vendoset drejtësi për të gjitha viktimat e të gjitha formave të dhunës që janë ushtruar nga Serbia gjatë luftës dhe se vetëm mbi bazën e këtyre parimeve dhe synimeve, Kosova është e gatshme që të vazhdojë dialogun.

Nga ana tjetër, pas takimit presidenti Aleksandër Vuçië mësohet të ketë thënë se ai është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por nuk pranon ultimatume. Sipas mediave në Serbi, Vuçiç ka thënë gjithashtu se qasja e shqiptarëve është totalisht joreale, teksa kërkojnë çdo gjë, duke e lënë Serbinë pa asgjë.