Përgjaken rrugët, 2 të vdekur, 5 të plagosur/ INSTAT publikon shifrat e frikshme: Në 7 muaj 116 viktima

22 Gusht 2018, 15:37

Aksidentet rrugore kanë përgjakur rrugët në vend. 2 të vdekur dhe 5 të plagosur është bilanci i aksidenteve në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Dy të rinj nga Lezha ishin duke udhëtuar gjatë natës në aksin Shkodër-Lezhë, kur makina e tyre Benz, është përplasur me një kamion. Të vdekur në vend kanë mbetur 32 vjeçari, Gentian Toma, dhe 25-vjeçari, Robert Ejlli.

Të rinjtë ishin duke u kthyer për në fshatin Mabë në Lezhë, aty ku kishin banesat, por përplasja ka qënë fatale dhe kanë humbur jetën. Shkak i këtij aksidenti dyshohet të jetë shpejtësia e lartë, pasi Benzi ka goditur nga pas kamionin. Vetëm 5 km ishin larg dy miqtë e ngushtë, por rruga e tyre nuk përfundoi. Një 19-vjeçar drejtonte kamionin, i cili ka dalë nga rruga, por shoferi nuk është dëmtuar. Policia ka shoqëruar shoferin e kamionit dhe po verifikon nëse mjeti kishte drita sinjalizuese në pjesën e pasme.

Pak orë më vonë një aksident ka ndodhur në autostradën Lushnje-Rrogozhinë. Shoferi i një makine Benz, Marindo Rona, dyshohet se e ka zënë gjumi dhe ka humbur kontrollin. Automjeti ka dalë nga rruga, ku një vajzë 8-vjeç e cila ishte në makinë, është në gjendje të rëndë për jetën dhe është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë. 

Në Elbasan, shoferi i një makine ka përplasur një 69-vjeçar me motor. I moshuari është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në Dibër, 35-vjeçari Albert Cepa është arrestuar pasi ka përplasur me makinë dy këmbësore në Maqellarë. Shoferi dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur 2 të mitur të moshës 15 dhe 17 vjeç, ku njëri prej tyre është dërguar në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Pavarsisht kontrolleve të Policisë Rrugore, numri i aksidenteve rrugore vijon të mbetet i lartë. Sipas të dhënave të INSTAT në muajin korrik kanë humbur jetën 18 persona nga aksidentet rrugore, ndërsa 210 persona kanë mbetur të plagosur. Në 7 muaj 116 persona kanë vdekur nga aksidentet bëjnë me dije të dhënat e INSTAT.