Përgjaket protesta në Mianmar, policia vret dy protestues, plagos 20 të tjerë

21 Shkurt 2021, 08:53 | Përditesimi i fundit: 2021-02-21 08:55:49

Të paktën dy vetë u vranë nga armët e zjarrit në Mianmar të shtunën ndërsa forcat e sigurisë përdorën fishekë luftarakë, plumba gome, gaz lotësjellës, ujë me presion të lartë dhe mjete të tjera kundër protestuesve që demonstronin kundër grushtit ushtarak të shtetit që ndodhi në atë vend me 1 shkurt.

Rreth 500 policë dhe ushtarë u mblodhën në një kantier detar në qytetin e dytë më të madh të vendit, Mandalay, për të shpërndarë punonjësit dhe demonstrues të tjerë, gjë që shkaktoi një përballje disa orëshe gjatë së cilës protestuesit hodhën gurë me llastik ndaj policisë.

Forcat e sigurisë shpërndanë protesuesit duke përdorur armët e zjarrit dhe mjete të tjera force, ndërsa lanë dy të vdekur dhe 20 të plagosur, sipas faqes së lajmeve në internet Irrawaddy.

Demonstruesit, banorët e zonës dhe gazetarët thuhet se u larguan pasi forcat e sigurisë i ndoqën ata, duke sulmuar një grup gazetarësh me gaz lotsjellës dhe mjete të tjera.

Forcat e sigurisë kanë shtuar gjithnjë e më shumë dhunën kundër protestuesve, të cilët janë përleshur me forcat e sigurisë së Mianmarit që kur ushtria arrestoi udhëheqësen de fakto Aung San Suu Kyi dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë civile më 1 shkurt.

Ushtria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme një vjeçare, nën pretendimet për mashtrime të gjera në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit të kaluar, të cilat u fituan bindshëm nga Lidhja Kombëtare për Demokraci e udhëheqëses Aung San Suu Kyi. Pretendimet e ushtrisë janë hedhur poshtë nga komisioni elektoral.

Që nga ajo kohë, dhjetëra mijëra demonstrues kanë dalë në rrugët e qyteteve më të mëdha të Mianmarit, duke sfiduar shtetrrethimin e rreptë dhe ndalimin e grumbullimeve të më shumë se katër personave. Protestuesit kanë mbajtur parulla pro-demokracisë dhe foto të udhëheqëses Suu Kyi. Gjatë tubimeve ata mbajnë tre gishta lartë, një shenjë rezistence kundër tiranisë që është përhapur nga filmi shumë i njohur “Hunger Games”.