Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se përgjimet e nxjerra nga BILD zbuluan se timonieri i vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri është Edi Rama. Ai tha se vetëm kryeministri aktual ishte në gjendje që të bënte bashkë në harmoni të plotë komunikimin mes deputetit, kriminelit, policit dhe biznesmenit.
"Në Shqipëri janë vjedhur të gjitha zgjedhjet që ka zhvilluar Edi Rama. Ky është përfundimi që del nga përgjimet e BILD dhe skandalet e tjera. Përgjimet na kanë dëshmuar skemën, përmasat dhe metodat. Kupola e Rilindjes në krye të PS-së nuk ka bërë asnjë dallim mes kriminelëve që ka përdorur.
Ata kanë bashkëpunuar me trafikantë droge, qeniesh njerëzore, me vrasës, grabitës. Ata kanë blerë vota me para në dorë, kanë kërcënuar qytetarë për të votuar kandidatët e tyre, kanë ndëshkuar ata që nuk janë bindur. Cdo mjet i dhunshëm është përdorur pa asnjë kufizim. Ajo që dëshmojnë përgjimet e Bild është që aleanca ka përdorur administratën për vjedhjen e zgjedhjeve, nga drejtorët te punonjësit e thjeshtë.
Me vjedhjen e zgjedhjeve, aleanca rilindje-krim ka përfshirë të gjitha nivelet nga kryeministri te cdo ministër e deputet. Edi Rama është timonieri i vjedhjes së zgjedhjeve. Edi Rama bëri bashkë këtë lukuni për një mision. Krimi dhe qeveria janë kthyer në një sipërmarrje aksionere. Përgjimet tregojnë cfarë harmonie dhe komunikimi dashamirës ka mes deputetit, kriminelit, policit dhe biznesmenit. E gjithë kjo sipërmarrje është financuar nga paratë e drogës. Nuk është rastësi që polici ushtar i Tahirit është një nga të raportuesit nga institucionet ligjzbatuese të trafikut të drogës. I gjithë ky projekt ishte shkatërrues".
E ndërsa e cilësoi si të pafyturë reagimin e kryeministrit dhe ministrave e deputetëve për përgjimet, Basha tha se pa u vendosur të gjithë para drejtësisë nuk ka për të pasur normalitet politik. "Reagimi i pafytyrë i Ramës ka për qëllim ta mohojnë këtë megakrim se me shpresë do të harrohet. Asgjë nuk do të harrohet dhe tolerohet, rruga drejt normalitetit kalon nga nxjerrja para drejtësisë e të gjithëve. Asnjë hap nuk do të bëhet pa ndëshkimin e atyre që kanë vjedhur votat.
Sandër Lleshaj është sot vegla më e ftohtë dhe e pashpirt e Edi Ramës për të luftuar opozitën për të nxitur vëllavrasjen, ai shkëlqen. Ai shumë shpejt do të mbajë përgjegjësi për helmimin dhe persekuptimin e shqiptarëve. Në qelinë ku sot është Bardh Spahia nesër do të jetë njëri prej jush. Ata drejtues policie do të mbajnë përgjegjësi.
Shqipëria ka nevojë për një operacion të thellë për të hequr këtë kancer. Ajo pjesë e prokurorisë, e administratës dhe prokurorisë që do të mbetet do të jetë vetëm e afta". Në fund ai kishte një thirrje për të gjithë shqiptarët që të bashkohen nesër në protestën e nëntë kombëtare. "Boll më me Shqipërinë si plackë e tyre. Ju ftoj të bashkohemi nesër në orën 20:00 në protestën kombëtare në Tiranë" deklaroi ai