Përgjimet, 'maja e ajsbergut', Basha: Dosja 339 fsheh eksponentë të tjerë

30 Tetor 2018, 14:25 | Përditesimi: 30 Tetor 2018, 14:25

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme në selinë blu. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka përsëritur akuzat e drejtuara më herët nga deputetët Jorida Tabaku dhe Endri Hasa për tenderin e faturimit të Bizneseve, për kryeministrin Edi Rama.

Basha thotë se ky tender është korruptiv dhe sipas tij i lidhur me vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama. Basha ka thënë se Olsi Rama është ndihmuar nga një zyrtare e huaj që ka shërbyer deri pak kohë më parë në Tiranë, por nuk ka përmendur emrin  e saj. 

Faturimi i bizneseve, tender korruptiv për Olsi Ramën. Një kompani kroate ka marrë tender kundër ligjit. Firma ka mbështetje nga një zyrtare e huaj që ka shërbyer në Tiranë. Bashkëpunimi i Olsi Ramës me një shtetase të huaj që ishte deri para pak kohësh në Shqipëri, një firmë kroate ka fituar një tender prej miliona eurosh për menaxhimin e kasave fiskale. Kjo është një dhuratë e kryeministrit për vëllain tij. Mekanizmi i gjetur në këtë rast vetëm fakton vërtetësinë e akuzave që i kemi bërë publike. Flamuri i kuq, drita e kuqe indikatori kryesor që tregon se është një tender i korruptuar është kur fitohet në kufijtë e çmimit limit. Nuk do mjaftohemi me këtë denoncim.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Akuzat e demokratëve për tenderin për faturimin e bizneseve lidhen me sistemin e ri online që pritet të kontrollojë së shpejti faturimin e biznesit. Qeveria socialiste dhe ministri i Financave, javë më parë kanë sqaruar se ky sistem i ri nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin. Sipas Ahmetajt, ky sistem i ri i monitorimit të bizneseve do të ulë kostot, pasi sipas këtij sistemi, kasat fiskale nuk do jetë kusht për bizneset, dhe dalin nga funksioni. Por për demokratët, tenderi i dhënë për kompaninë kroate është i paracaktuar dhe korruptiv.

Ngjarja e Bularatit, Basha: Mos të përdoret më politikisht

Basha ka komentuar vrasjen e ushtarit ekstremist grek në Bularat të Gjirokastrës dhe ka thënë se Rama kërkon t’a përdorë politikisht këtë ngjarje që sipas tij është tërësisht kriminale.

“Ngjarje kriminale, përpjekjet për ta kthyer në ngjarje politike iu shërbejnë vetëm atyre që duan të heqin vëmendjen nga problemet e vendit. Rama do të zhvendosë artificialisht vëmendjen, dhe përdor kundër Berishës një ngjarje kriminale është tregues ku ndodhet ai dhe qeverisja e tij. Do të kapet pas gjithçkaje.”-tha Basha.

b.ha./Shqiptarja.com