Përgjimi 1 i publikuar në Bild nga dosja 184

17 Qershor 2019, 15:47

Ashtu siç kishte paralajmëruar këtë të hënë gazetari i gazetës gjermane 'Bild' Pieter Tiede ka publikuar përgjimet e dyta nga dosja "184" për zgjedhjet në bashkinë e Dibrës.

Përgjimet e para të gazetarit gjerman u publikuan në datë 5 Qershor, pikërisht dita kur lideri i opozitës Lulzim Basha ishte në Gjermani për të lobuar kundër hapjes së negociatave.

Ndërsa përgjimet e dyta dolën sot, pra një ditë para mbledhjes së krerëve të shteteve të Bashkimit Europian, ku pikërisht në 18 Qershor do të vendoset për zgjerimin e unionit, që përfshin edhe fatin e Shqipërisë në lidhje me negociatat.

Redaksia e Shqiptarja.com po zbardh në shqip përgjimet audio të publikuara në Bild, të cilat janë përkthyer në anglisht në median gjermane.

Përgjimi 1- Biseda e Edi Ramës me Arben Keshin

Arben Keshi: Hë shefi!

Edi Rama: Hë mo si duket?

Arben Keshi: Po mirë tek pritshmëritë jemi.

Edi Rama: E ke realizuar objektivin thua?

Arben Keshi: Them se po, bazuar në ato që po na thonë komisionerët.

Edi Rama: Ashtu është?

Arben Keshi: Po them që po.

Edi Rama: Po ata maskarenjtë, kishin bërë presione mbrëmë e?

Arben Keshi: Po deshën të më kapnin mua, punë dy minutash sa u futa tek shtabi sepse ishin duke më pritur tek hoteli ku fleja.

Edi Rama: Çfarë do të bënin ty ata?

Arben Keshi: Ishin 50 veta. Asgjë besoj, këtë pjesën e presionit mendoj, jo kështu jo ashtu. Ai është legen ai, Flamur Noka.

Edi Rama: Po ku ta del dot ty Flamur Noka mo!

Arben Keshi: Edhe djali sa doli më la mua, ata kujtuan se isha edhe unë në makinë. Rreth 50 veta. Jo se i bënë ndonjë gjë, sa e goditën. Ai iku dhe ata nuk e kapën dot.

Edi Rama: Më mirë mo, hajt se ç'i do sherret. Dëgjo, po ti mendon se e kemi realizuar objektivin?

Arben Keshi: Po këtu tek unë po. Mund të lëvizë me më pak më shumë. Nga ato që na kanë thënë komisionerët kemi pritshmëri të mëdha.

Edi Rama: Komisionerët i ke pasur top e?

Arben Keshi: Po po në rregull.

Edi Rama: Okay, mirë vllai, hajt ciao.

Arben Keshi: Ishalla, faleminderit.