Përgjimi për eksplozivin zbuloi drogën! 'Çantat i solla'! Vëllai i ish-shefit të Rrugores: Hajde merri eurot në Tiranë (Përgjimet)

21 Janar 2020, 16:34

Gjykata e Tiranës la në burg pa afat vëllanë e ish-shefit të qarkullimit Rrugor në Dibër, Pajtim Aga dhe 6 të arrestuarit e tjerë, që u kapën me kanabis pak ditë më parë në një operacion në disa qytete. Nga shtatë të arrestuarit, Shkëlzen Mazari ka pranuar akuzat duke thënë s "droga është e imja". Por si u zbulua grupi dhe cilat janë përgjimet që 'gozhdojnë' trafikantët? Gjithçka ka nisur nga Pajtim Aga, që u vendos në hetim vitin e kaluar si i dyshuar në lidhje me një shpërthim eksplozivi në Dibër, por më pas nga përgjimet është zbuluar trafiku i drogës. Por si bëhej ai? Pasi transportohej nga Greqia, lënda narkotike në formë çokollate fshihej në shtëpinë e Paulin Dodajt dhe Marsida Piperit në Gjirokastër, që bashkëjetonin. Në një nga telefonatat, njëri nga anëtarët e grupit i thotë Pajtim Agës se "çantat i lashë atje, kur mund të vij të marr 200 euro?" duke nënkuptuar trafikun. Ndërsa Pajtim Aga i thotë se "Hajde merri lekët në Tiranë". Operacioni u zhvillua në disa qytete, ndërsa njëri prej të arrestuarve shpërndante drogën u kap në autobus, raporton gazetarja Xhensila Kodra.