Përjashtimi Strakoshës, Jera: Disiplina determinante në sport, Panucci tashmë me eksperiencë

21 Mars 2019, 14:52

Shqipëria do të nisë të premten eliminatoret e Europianit ku shpreson të sigurojë kualifikimin për të përsëritur të paharrueshmen “Francë 2016”. Dy ndeshjet e para janë kundër Turqisë të premten në Shkodër dhe kundër Andorës tre ditë më pas në transfertë. Për “report TV”, ish-futbollisti i Kombëtares Fatbardh Jera, shprehet se Shqipëria i ka shanset dhe duhet t’i nisë me këmbën e mbarë eliminatoret.

“Një fillim i mbarë është gjysma e punës dhe duke u nisur nga eliminatoret që patëm në Ligën e Kombeve performanca jonë relativisht nuk ishte e mirë. Duke e krahasuar me atë periudhë jemi në një pozicion dhe një start tjetër për faktin se të gjithë lojtarët kanë minuta duke parë që janë aktivizuar me klubet e tyre.”

Për përjashtimin e Strakoshës dhe për deklaratën e Lenjanit se nuk vjen në kombëtare sa të jetë Panucci, Jera shprehet:

“Disiplina në sport është determinante dhe në këtë aspekt gjithmonë do t’i jepja të drejtë trajnerit. Gjithsesi këto dy mungesa nuk janë problem i madh pasi grupin skuadra e ka.”

Për vendimin e Panucci-t për të ndryshuar mënyrën e lojës Jera deklaron:

“Tani mendoj se është një trajner me eksperiencë pasi në fillim ishte i ri. Në këtë prizëm mënyra më e mirë është stili italian pasi katenaçon e kanë të tyre. Në fillim të mendojmë për mbrojtjen dhe më pas të shohim për të goditur kundërshtarin.”