Përkeqësohet shëndeti i naftëtarëve të Ballshit, kreu i sindikatës: Jetët tona varen nga një përgjigje

6 Tetor 2020, 15:49

Naftëtarët e Ballshit janë në ditën e nëntë të grevës së urisë, ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.

Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta që të ndërhyjnë urgjentisht, pasi nesër mund të jetë shumë vonë.

Kryetari i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj ka folur për Report Tv, për grevën e urisë të naftëtarëve. Ai ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet dhe në nëntë ditë të grevës nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet.

"Jemi në ditën e nëntë të grevës së urisë, ju e keni parë që si kryetar i sindikatës kam qenë që të nëntat ditët dhe ata kanë menduar që ne po bëjmë një show me këtë grevë, ndaj sot dua të bëj një apel dhe dua të jem i prerë me këtë që them. Nëntë ditë grevë urie, nëntë ditë naftëtarët pa asnjë përgjigje. Nëntë ditë të gjitha institucionet heshtin. Ndoshta ata kanë menduar se ne po bëjmë një show dhe jetët tona varen nga një përgjigje e tyre. E shikojmë që problemet sa vijnë dhe na janë rënduar. Ne në qoftë se po na vjen ora e vdekjes, nuk do të vdesim këtu brenda, ta kenë të qartë ata. E kemi menduar mirë veprimin që do të bëjmë. Ndaj i bëjmë një apel zotit kryeministër që reago një orë e më parë", tha Dautaj.