Përmbledhje e pamjeve, protesta e opozitës më 21shkurt

21 Shkurt 2019, 15:05

Është përmbyllur pa dhunë protesta e opozitës së bashkuar këtë të enjte.

Nisi para Parlamentit të Shqipërisë pak pas orës 10:00 të mëngjesit. Rreth dy orë fjalime të deputetëve të opozitës, kulmuar me fjalimet e liderit demokrat Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi. U pa i tërhequr, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk mbajti fjalim në podiumin e ngritur para Parlamentit mes protestuesve të shumtë që dolën në tubim. 

Mes masave të shumta të policisë së Shtetit, në Parlamentin e rrethuar edhe me tela me gjemba nga frika e ndonjë skenari të dhunshëm për tu futur brenda sallës së seancave plenare, Basha i bëri thirrje protestuesve ta ndjekin në hapin e fundit të dorëzimit të mandateve të deputetëve. Një marshim nga parlamenti drejt Kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar atje, në bllok, aktet e dorëheqjeve nga mandatet. Kryesia kishte marrë masat...një rrethim me tela me gjemba. Edhe kryeministria u rrethua menjëherë me forca policore.

Kryeministri Edi Rama kishte qenë në zyrën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pak para mbërritjes së liderit Basha dhe Monika Kryemadhit, që dorëzuan në protokollin e kryesisë, dorëzimin e mandateve. Nuk pati asnjë moment dhune dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. U hodhën vetëm disa tymuese nga ana e simpatizantëve, por pa u vënë re.

Po në marshim me protestuesit, Basha u kthye prej nga e nisi...Në selinë e PD-së. Mbajti një fjalim falenderues dhe paralajmëroi protesta në të gjithë Shqipërinë. I dha edhe një mesazh ndërkombëtarëve. "Këtë mesazh të parë t’ja u them miqve tanë, ne nuk jemi popull i dhunës, ne jemi populli i demokracisë".

    No videos found.