Përmbytjet/ Çako u 'tërheq veshin' bashkive: Të jenë më të përgatitura

8 Janar 2021, 18:07

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako ndërsa ka folur për situatën e përmbytjeve në disa zona të vendit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka deklaruar se po punohet intensivisht, por nga ana tjetër u ka bërë thirrje bashkive që të jenë më të përgatitura për të tilla situata.

Ai ka deklaruar se janë evakuuar disa familje në Lezhë dhe në Shkodër. Kjo e fundit shton ai është ndër më të prekurat nga përmbytjet.

“Është dashur të ndërhyhet fuqishëm. Është një fazë shumë e rëndësishme e menaxhimit të fatkeqësisë natyrore siç është përmbytja dhe përpos saj vjen dhe rehabilitimi. Prej 2-3 ditësh vendi është përfshirë nga një intensitet i konsiderueshëm reshjesh. Zonat më të prekura Durrësi, Shkodra Vlora.. ka pasur dhe në qarqe të tjera ku ska munguar as bora.

Nga informacionet e marra në mënyrë intensive janë ngritur dhe organizuar mbledhjet dhe takimet përkatëse të shtabeve të mbrojtjes civile ashtu sikurse edhe në bashkitë respektive të këtyre prefekturave. Janë marrë masat përkatëse. Ka qenë monitoruar dhe gjatë natës së mbrëmshe dhe ditës së sotme, kur janë shtuar ndjeshëm prezenca e ujit kryesisht në zonën e Shkodrës. Zonat të cilat janë prekur nga reshje zonale dhe rajonale, pasi nuk jemi në ndikim dhe efektin e shkarkimeve të lumenjve të mëdhenj.

Shkarkimet janë ato të vendosura me vendim përkatës para disa ditësh. Nuk kemi shtim të shkarkimeve. Jemi në kulmin e dimrit dhe për sa kohë reshjet kanë munguar për një periudhë të caktuar pritshmëria për një shtim të tyre është dhe ne jemi duke e monitoruar hap pas hapi. Kemi prezencë të shtuar uji në toka bujqësore. Në zona që janë te ekspozuara apo në buzë të lumenjve. Janë evakuuar 2 ose 3 familje në Lezhë dhe Shkodër të cilat kanë qenë të cënuara nga përmbytja. Zona e Oblikës është ajo më e ekpsozuar me prezencë uji, në përgjithësi skemi banesa që kanë nevojë për tu  evakuuar”, tha ai.