Përmbytjet/ Meta: Papërgjegjshmëri ekstreme, s'po merret parasysh paralajmërimi i IGJEUM! Shteti të ngrihet në këmbë!

8 Janar 2021, 19:46

TIRANË- Për presidentin Ilir Meta, qeveria ka neglizhuar paralajmërimin e IGJEUM për rrezikun e përmbytjeve, e për pasojë sipas tij është vënë në rrezik jeta e njerëzve.

Meta është treguar i ashpër ne reagimin e tij, duke thënë që Prokuroria duhet të jetë vigjilente për funksionarët që shpërdorojnë detyrën në raste të tilla, e ndërkohë u bën thirrje autoritetet përkatëse që të marrin menjëherë masat. Për kreun e shtetit, ende asnjë zyrtar i lartë shtetëror nuk ka komunikuar zyrtarisht me popullatën për t’a informuar mbi masat e marra për përballimin e kësaj situate të vështirë për shkak të reshjeve të shumta të shiut që kanë pushtuar vendin orëve të fundit. 

"Shteti të ngrihet në këmbë për të garantuar sigurinë e jetës dhe të pronës!

Është papërgjegjshmëri ekstreme dhe e dënueshme ligjërisht, që alarmi i Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit mbi rrezikun e përmbytjeve në vend, me pasoja tepër të rënda, nuk po merret seriozisht nga institucionet shtetërore, duke vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe pronat e mijëra qytetarëve në mbarë vendin, qartësisht të braktisur në mëshirë të fatit. Ende sot, asnjë zyrtar i lartë shtetëror nuk ka komunikuar zyrtarisht me popullatën për t’a informuar mbi masat e marra për përballimin e kësaj situate të vështirë.

Qytetarët meritojnë të informohen me transparencë dhe këtij detyrimi kushtetuese nuk mund t’i shmanget askush! Sipas të dhënave nga terreni, me qindra hektarë tokë rezultojnë të përmbytura në Qarqet Tiranë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Fier, Gjirokastër e Sarandë, dhe vetëm në Durrës, raportohen nga autoritetet mbi 410 hektar tokë nën ujë. Probleme serioze mësohet të ketë veçanërisht në Shkodër, Lezhë, por dhe në Vlorë, ku për orë të tëra disa segmente të rëndësishme rrugore, edhe lagje brenda qyteteve, kanë qenë nën pushtetin e ujit, duke nxjerrë në pah abuzimet korruptive, të reflektuara në cilësinë e dobët të investimeve, kryesisht në rrjetet kulluese.