Përmbytjet nga shiu, Çako në Report Tv: Kemi prezencë të shtuar të ujit në disa zona, por situata është nën kontroll

7 Janar 2021, 21:27

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako gjatë një interviste për Report Tv ka folur për situatën e krijuar si pasojë e motit të keq në vendin tonë, duke thënë se tashmë është vënë nën kontroll.

Çako thotë se ka prezencë të shtuar të ujit në disa zona që janë produkt i reshjeve të rëna, por nuk ka dalje të lumenjëve në shumicën e rasteve.

“Janë marrë masat për të përballuar situatën. IGJEUM kontrollon mbi vazhdimin e ditëve që vijon të reshjeve të shiut me instesitet mesatar. Situata është plotësisht në kontroll ndonëse reshje ka patur. Ka patur reshje kryesisht në qarkun e Shkodrës dhe të Dibrës por edhe në zona të tjerë të Dibrës. Ka pasur reshje intensive por me instensitet mesatar. Në bashkinë e Shkodrës dhe të Lezhës kemi prezencë të shtuar të ujit në disa zona që janë produkt i reshjeve të rëna lokale por nuk ka dalje të lumenjëve në shumicën e rasteve”, tha Çako.

Moti i keq gjatë ka sjellë probleme në zona të ndryshme të vendit, disa prej tyre janë Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Korçë. Në Vlorë, rrugët e portit të qytetit bregdetar janë mbushur me ujë duke sjellë problematika të mëdha në qarkullimin e mjeteve. 

Në qarkun e Elbasanit dhe të Korçës gjatë mbrëmjes ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar. Në zonën e Dardhës, Vithkuqit dhe të Voskopojës pa pasur reshje të pakta dëbore të cilat nuk kanë krijuar probleme. Shirat kanë shkaktuar daljen nga shtrati të ujërave të lumit Bistricë, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e makinëve në aksin nacional Sarandë – Gjirokastër. 

Edhe një pallat 6 katësh rrezikon të shembet në Gjirokastër si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Bëhet fjalë për pallatin në lagjen "Punëtori". Gjithsej janë 16 familje që rrezikojnë të humbasin apartamentet.