Përmirësim infrastrukture edhe në zonat rurale, kopësht me kushte më të mira për fëmijët e Vaqarrit

21 Shtator 2019, 13:55

Krahas përmirësimit të situatës me çerdhet dhe kopshtet në qytet, Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për përmirësimin e infrastrkturës edhe në zonat rurale. Ajo ka rikonstruktuar godinën e ish-shkollës së vjetër të ndërtuar 40 vjet më parë në Vaqarr, e cila do të shërbejë si kopësht modern, duke plotësuar nevojat e gjithë komunitetit. Pasi inspektoi punimet, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se në këtë mandat të dytë fokusi do të jetë tek ofrimi njësoj i shërbimeve edhe në fshat.

Mund të jemi në Bllok, mund të jemi diku në një nga lagjet më të mira të Tiranës, te Bregu i Lumit, ku prapë kemi kopshte shumë të mira, apo në Kodër-Kamëz, ku po mbaron kopshti i ri, por në fakt jemi në Vaqarr, çka sinjalizon një fillim të ri të punës për kopshte dhe çerdhe në zonat rurale. Fakti që 50-60 fëmijë janë këtu, do të thotë se 50-60 fëmijë janë më pak në turnet e dyta në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Kombinatit. Ndaj, e gjithë dëshira jonë është që këtë mandat të dytë të fokusojmë më shumë shërbimin në fshat. Duhet të shkojnë shërbimet aty ku janë njerëzit, kështu që ulim dyndjen dhe turnet e dyta në qytet”, theksoi ai.

Si rezultat i transformimit të kopshteve dhe të çerdheve publike, ky vit ka shënuar edhe numrin më të madh të kërkesave për regjistrimin e fëmijëve. Teksa nënvizoi se situata ka ndryshuar tërësisht me gjendjen e 5 viteve më parë, Veliaj tha se tashmë shumë prej prindërve preferojnë që në vend të kopshteve dhe çedheve private, kërkojnë regjistrimin e fëmijëve të tyre tek ato publike.

“Është një kompliment i jashtëzakonshëm, pasi do të thotë se aq shumë kanë besim njerëzit te kopshtet dhe çerdhet publike. Kjo do të thotë se edhe ata që i kanë mundësitë, edhe për ata që kanë punë të mira apo që punojnë nëpër organizata ndërkombëtare apo nëpër ambasada, edhe për ata që ndoshta i kanë pasur më para në privat, arsyeja pse kërkojnë që t’i çojnë në shtet është sepse janë kushtet më të mira. As që nuk diskutohet fare krahasuar me çfarë gjetëm 5 vite më parë, ku binin tavanet dhe lagështira sundonte kudo, dhe ai myku jeshil vishte çdo dhomë; sot jemi në një situatë ku çdo fëmijë ka një skedë si është sjellë, çfarë ka ngrënë, çfarë ka konsumuar dhe sa kalori ka marrë për ditën”, tha ai.

Me investimet për shkollat e reja, po krijohen kushte më të mira edhe për parashkollorin. Tashmë, çdo shkollë e re ka të integruar edhe parashkollorin. “Me shkollat e reja, kemi bërë të detyrueshme futjen e parashkollorit në mjediset e shkollës, por me një hyrje të veçantë, ndaj besoj se parashkollori na jep një dorë edhe me uljen e fluksit në shkollat e reja”, nënvizoi Veliaj, i cili vlerësoi punën e donatorëve dhe të ndërmarrjeve të Bashkisë.

“Falenderoj me zemër donatorët dhe të gjithë kolegët e ndërmarrjeve të Bashkisë, që janë një tjetër grup heronjsh. Ndërrmarrja nr. 3, është siguruar që të kishim vitin shkollor më të mirë që Tirana ka parë ndonjëherë në rreth 300 institucione arsimore”, tha ai.

Veliaj theksoi se çerdhet, kopshtet dhe shkollat janë edhe hapësira komunitare, ku të rinjtë mësojnë si të jetojnë në komunitet, ndërsa siguroi se investime të tilla do të shtrihen në të gjitha fshatrat.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se investime të tilla edhe në zonat rurale ishin të paimagjinueshme, ndërkohë që sot ato shtrihen kudo dhe me të njëjtën cilësi si në qendër. “Jam shumë e lumtur që në këtë fillim viti, edhe për parashkollorin, të jemi në një kopsht të Vaqarrit, ku askush nuk do ta mendonte katër vite më parë se do të kishim një kopësht me të njëjtën cilësi punimesh si në qendër”, u shpreh Gjylameti.

Pas rikonstruksionit, hapësirat janë rikonceptuar duke krijuar mjedise të përshtatshme për grupmoshën 3-6 vjeç dhe sot ky kopësht ofron hapësira dhe kushte me standarde të mira, për t`iu siguruar fëmijëve një ambient të dashur, zhvillues dhe të sigurt.