Përplasi nënë e bir në trotuar, arrestohet shoferja! 6-vjeçari në gjendje të rëndë, gjyshi: Na telefonuan njerëz nga rruga

23 Mars 2021, 15:32

55-vjeçarja që aksidentoi në trotuar një të mitur 6-vjeçar dhe nënën e tij, është arrestuar.

Nënë e bir po prisnin në afërsi të një fast food-i në fillim të rrugës “Don Bosko”, kur  “Opel Corsa” u ngjit mbi trotuar dhe i përplasi. Me arrestimin e gruas pritet dhe ekspertiza, e cila do të saktësojë momentin që ka përplasur nënë e bir.

Burime nga Policia Rrugore thanë se drejtuesja e “Opel Corsa” kishte rreth dy-tre vite që i jepte makinës. Report TV ka siguruar videon e momenteve të përplasjes, por për shkak të pamjeve shumë të rënda, ka vendosur të mos e publikoj. Ndërkohë, në Spitalin e Traumës, gjendja shëndetësore e 6-vjeçarit është e rëndë, i cili është në terapi intensive.

I mituri ka politraumë, çfarë do të thotë se ka të dëmtuar organet e brendshme të trupit. Shumë qytetarë shkuan në spital për dhurimin e gjakut, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së familjarëve. E plagosur në spital është edhe e nëna e 6-vjeçarit, me gjendje të stabilizuar, por me dy këmbë të thyera. Lajmi i aksidentit i shokoi familjarët. Gjyshi i 6-vjeçarit tregon për Report TV telefonatën kur e njoftuan për nipin dhe nusen

“Si e mora lajmin? Jam tmerruar, ma dhanë më telefon njerëzit në rrugë. Shumë sëmurë është. Nuk e kam parë djalin, është në reanimacion, të tregoj doktori se si është gjendja. Akoma nuk kemi folur me mjekët, po presim të na flasin për gjendjen.” – shprehet gjyshi i 6-vjeçarit për Report TV.

Aksidentet me pasoja fatale brenda Tiranës janë kthyer në një problem shqetësues për autoritetet dhe qytetarët. Vitet e fundit janë regjistruar disa përplasje me viktima të cilët lëviznin në trotuarë apo në viza të bardha.