Përplasjet te 'Unaza e Re'/ PD kallëzim penal ndaj policisë dhe kreut të IKMT-së

15 Nëntor 2019, 14:11

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu si dhe Çlirim Gjata dorëzuan në Prokurori një kallëzim penal ndaj punonjësve të policisë dhe per kreun e IKMT-se për sa u përket përplasjeve fizike që ndodhën tre ditë më parë në aksionin për të shembur banesat që preken nga zgjerimi i Unazës së Re. 

“Ky kallëzim penal është hapi i parë i premtimit të bërë ndaj banorëve. Kallëzimi penal është edhe ndaj kreut të IKMT-së. Dhunuesit e banorëve duhet të jenë para përgjegjësisë. Hapi i dytë i joni do të jetë dëmshpërblimi i banorëve”, deklaroi Balliu.Ish-deputeti Klevis Balliu tha se padia është ngritur ndaj: Sander Lleshajt, ministër i brendshëm, Ardi Veliu, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Niko Brahimajt, drejtor i policisë vendore Tiranë, Ermal Kapllanajt kryeinspektor i policisë bashkiake, Dallëndyshe Bicit, drejtuese e IKMT-së si edhe Granit Korbit, përgjegjës i degës IKMT, Tiranë.

Tre ditë më parë në zonën e Astirti u prishën 33 objekte, ndërsa që në orët e para të mëngjesit, banorët e Astirit bënë rezistencë dhe teksa policia u hodhi gaz lotsjellës ndaj tyre, ata u kundërpërgjigjën me bomba molotov.  Nga përplasja fizike u dëmtuan 5 punonjës policie dhe 8 banorë.