Përurohet kompleksi i ri sportiv në Mallakastër

1 Gusht 2018, 12:57 | Përditesimi: 1 Gusht 2018, 12:57

Kërkesat për një kompleks sportiv në Mallakastër kanë qenë të shumta prej shumë vitesh dhe më në fund ia kanë arritur qëllimit. Kryetari i bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj, nëpërmjet bashkëpunimit me USAID, FSHF dhe vetë institutcionit që ai përfaqëson, bëri të mundur të realizojë një projekt të tillë.

Tashmë projekti i kompleksit sportiv ka përfunduar. Ai kap një vlerë prej 43 mln lekë te reja. Nëse do ti referoheshim fakteve dhe historikut, pamjeve të dikurshme të këtij parku, nuk mund të bësh krahasim. Pothuajse i braktisur dhe i rrënuar, me gropa të mbushura me ujë, një mini pyll i "mbjellë" me hekura etj.

Por sot ai ka përfunduar dhe është prerë shiriti në prani të qindra qytetarëve mallkastriot dhe padyshim, edhe të fëmijëve që ëndrra për të pasur një kompleks ku te lozin, u është bërë realitet.Të pranishëm në inaugurimin e këtij kompleksi sportiv ishin: përfaqsuesi USAID ,zëvendës presidenti i FSHF, deputetë si dhe të ftuar të tjerë. 

Në kompleks janë të ndërthurur këndi i lojërave për fëmijë, mini fusha e basketbollit, salla e forcës  për të rinj. Ndërsa është investuar për herë të parë edhe shtrimi i tapetit në fushën e futbollit, ku fusha është e një cilësie e standarti ndërkombëtar, duke marrë parasysh karakteristikat e zonës.

Kompleksi përveç ofrimit në shërbim të të gjithë grupmoshave,  do të shërbejë për shumë aktivitete të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Ndërsa nga ana tjetër do të shërbejë edhe si terren për stërvitje për ekipin e parë të futbollit Bylis.

Një kompleks sportiv i tillë në qendër të Ballshit është një mrekulli, siç e ka cilësuar kryetari i bashkisë Agron Kapllana, shndërruar në një kënd ku ndërthuren dëshira për t’u marrë me sport dhe vullneti për të qenë të lirë në dëshirat rinore mallakastriote.

b.ha./Shqiptarja.com