Peshëngritje/ Romela Begaj dënohet për herë të dytë nga Federata Botërore për doping

24 Janar 2019, 17:09 | Përditesimi: 24 Janar 2019, 17:25

Kampionia shqiptare e peshëngritjes më 2017, Romela Begaj është dënuar me 8 vite nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Kjo është hera e dytë që Begaj dënohet për të njëjtën arsye, përdorim substancash të ndaluara.  Bega rezultoi për herë të dytë përdoruese e substancës ‘Stanozolo’ në janar të 2018 dhe vendimi me 8 vite është maksimali i dhënë nga Federata Botërore. Gjithsesi mësohet se Begaj do e apelojë venënimin e Federatës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozhanë të Zvicrës. Nëse vendimi mbetet i pandryshuar, Begaj duhet t'i thotë 'lamtumirë' aventurës në peshëngritje. 

Peshëngritësja para komisionit është vetëmbrojtur duke deklaruar: “Vij nga një familje e varfër dhe kam kaluar shumë vështirësi nga fëmijëria ime deri më tani. Sporti i peshëngritjes është i vetmi burim të ardhurash për mua dhe nuk do të bëja asnjëherë asgjë për të prishur karrierën time."

Federata Botërore nuk e ka marrë parasysh justifikimin e Romelës duke e cilësuar si sabotim, që sipas saj nuk përbën provë dhe është e pavërtetueshme. Romela aktualisht jeton me familjen në Kanada dhe duke parë moshën e saj, 33 vjeç, ky dënim me shumë mundësi do t’I japë fund karrierës së saj.

Kjo nuk është hera e parë gjatë dekadës së fundit që peshëngritësit shqiptarë rezultojnë përdorues të substancave të ndaluara. Më parë janë dënuar Erkand Qerimaj, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli.

r.k./Shqiptarja.com