Peshkaqenët drejt zhdukjes në Adriatik, peshkatari: Nuk ka ligj që ndalon gjuetinë, s'dimë si të veprojmë

1 Nëntor 2020, 15:31

Peshkaqenë të shumëllojshëm kanë rënë shpesh në rrjetat e peshkatarëve në ujërat e Adriatikut dhe Jonit.

Marr shkak nga publikimi i pamjeve me peshkaqenë të vrarë, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ministria e Mjedisit tërhoqën vëmendjen e medias për të mos publikuar këtë lloj gjahu. Sipas INCA peshkaqenët kanë status mbrojtjeje dhe gjuetia apo shitja e tyre është e dënueshme.

Por sa e mundur është ruajtja e peshkaqenëve?

Report Tv shkoi në flotën e peshkimit në Durrës, më e madhja në vend me 140 peshkarexha.

Klodian Kapiti, pronar i një peshkarexhe dhe anëtar i Shoqatës së Peshkimit Durrës na thotë se pranë shoqatës nuk ka mbërritur asnjë udhëzim zyrtar për mënyrën se si duhet të veprojnë peshkatarët kur në rrjetat e tyre bie një peshkaqen.

"Të jem i sinqertë nuk na ka ardhur ndonjë shkresë që gjuetia ndalohet. Sepse barkat nuk dalin për të gjuajtur peshkaqen. Masat dërrmuese e flotës shqiptare ka barka me trata fundore dhe nuk arrin ta kuptoj peshkatari, ekuipazhi i anijes kur trata është në fund të detit për katër orë që bën atë kalatën që i themi ne , ose programin e gjuetisë të kuptojë dhe të marri vesh se ça ka hyrë aty në tratë. Në qoftë se kjo del me një formë ligjore, patjetër që do e respektojmë", u shpreh Kapiti.

Më tej ai na shpjegon se kapja e peshkaqenëve është rastësore dhe e paqëllimshme.