Peshkopi, u rikthye paradite në punë, mësuesja shkarkohet pasdite nga drejtoresha

12 Mars 2019, 20:41

Një situatë në kufijtë e skandalit ka ndodhur në Dibër ku mësuesja e anglishtes së shkollës “Said Najdeni”, Fatbardha Miftari është shkarkua nga puna me urdhër të drejtoreshës së Shkollës vetëm disa orë pasi Drejtoria Arsimore e kishte rikthyer në atë pozicion. Përballë situatës paradoksale, mësuesja kërkon ndërhyrjen e ministrisë.

Mësuesja e gjuhës Angleze në gjimnazin “Said Najdeni” të Peshkopisë, Fatbardha Miftari e cila u bë objekt mediatik për shkak të protestave që zhvilluan maturantët si rezultat i transferimit të saj, është përballur me një tjetër befasi.

Fatbardha thotë se për transferimin e saj i është drejtuar me shkresë Ministrisë së Arsimit e cila kjo e fundit ka kërkuar nga DAR Dibër, revokim të urdhërit dhe rikthimin e saj aty ku ishte më parë. DAR ka lëshuar për këtë një vendim ku përcaktohen edhe arsyet e rikthimit në vendin e punës me argumentin se vendit vakant në gjimnazin “Said Najdeni”, nuk i është ofruar askush. Por nga ana tjetër mësuesja Fatbardha Miftari thotë se ka marrë një vendim për pushimin e saj nga puna nga drejtoresha e gjimnazit në po të njëjtën ditë.

Fatbardha Miftari shprehet se nuk do ta lërë me kaq, por do ta kërkojë të drejtën e saj në çdo instancë. Për shkak të transferimit të mësueses së tyre, maturantët e gjimnazit “Said Najdeni” në Peshkopi, bojkotuan mësimin dhe protestuan për disa ditë.