TIRANË- Këtë javë do të vendoset se kur do të rinisin protestat e opozitës. I ftuar në studion e Report Tv në "5 pyetje nga Babaramo", sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se këtë javë do të mblidhen strukturat e PD-së dhe do të vendosin datë konkrete, por theksoi se kjo nuk do të jetë mënyra e vetme që kjo forcë politike do të përdorë për të arritur qëllimin final.
Përballë gazetarit Ilir Babaramo, Bardhi është ndalur në tre çështje kryesore, ku theksoi se nuk ka një marrëveshje të fshehtë PD-PS, nuk ka përçarje me aleatët e aq më tepër me LSI-në, si dhe kryebashkiakët Valdrin Pjetri (Shkodër), Agim Kajmaku (Vorë) dhe Mark Babani (Vau i Dejës) nuk janë të vetmit, për të cilët kanë marrë informacione dhe kanë siguruar dokumentet që vërtetojnë se janë me të shkuar kriminale. Ai paralajmëroi se kanë informacione edhe për 7-8 kryebashkiakë të tjerë, që janë me precedentë penal. Një tjetër çështje e trajtuar në emisionin e sotë, është edhe Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. Në "petkun" e një juristi, Bardhi tha se e gjykon një vendim krejtësisht Kushtetues shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit nga kreu i shtetit, teksa e cilësoi Komisionin Hetimor, si një "tallje për shqiptarët".
TIRANË- Deputeti socialist Alket Hyseni tha në studion e Report Tv me gazetarin Ilir Babaramo se brenda pak javësh do të nisë punën SPAK. Deputeti, njëherazi edhe anëtar i Komisionit Hetimor për kreun e shtetit tha se ky i fundit po merr profilin e liderit të opozitës duke shkelur parimit e të qenurit mbi palët.
Hyseni tha gjithashtu se dora e mazhorancës vijon të jetë e shtrirë për opozitën për të zgjidhur krizën politike
"Shumë shpejt do të fillojë punën SPAK-u. Për punë javësh jam i bindur se SPAK do të jetë funksional. Besoj se më këtë reformë, vettingu do i sjellë jashtë radhëve ata që nuk qëndrojnë brenda këtij sistemi.
Presidenca është një institucion shumë i thjeshtë për t'u kontrolluar sepse është i prodhuar nga ne. Por ai ka dalë nga binarët dhe ka dalë në drejtim të paditur. Presidenti i Republikës po merr profilin e liderit të opozitës. Këtë do ta kontrollojmë, do ta hetojmë dhe në fund do paraqesim një raport para Komisionit të Venecias dhe besoj do t'i propozojmë parlamentin kërkesën për shkarkimin e tij. Presidenti caktoi datën fundore për zgjedhjet lokale. Ka pasur një sërë shkeljesh. Presidenti ka shkelur parimin e të qenit mbi palët. Ai nuk mund të bëjë analiza. Ai e ka pranuar për vetë, se e bëri atë për efekt sigurie. Sigurinë e garanton kushtetuta.
Ftoj opozitën e Kuvendit dhe atë të rrugës që të vijnë në tryezë pa kushte. Kusht i panegociueshëm për ne është të mos cenohet reforma në drejtësi. Ne nuk jemi të përjetshëm në pushtet. Nëse qytetarët do na votojnë, do na votojnë se kemi punuar mirë.
Brenda muajit shtator do ketë një tryezë të komisionit ku do të jemi të hapur për diskutime për të vënë në jetë rekomandimet e OSBE-ODHIR. Sistemi kërkon konsesus. Një pikë e komisionit të Reformës është edhe kjo. Nëse të tre aktorët politikë konvergojnë në një qëndrim të përbashkët do ketë vend për diskutime", tha Hyseni në studion e Report Tv.