Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një intervistë për Report Tv sqaroi me detaje situatën që po ndodh aktualisht në Kullën e Kontrollit të Rinas që merret me monitorimin e hapësirës dhe trafiku ajror të Shqipërisë. Balluku tha se pezullimi i punës së kontrollorëve të trafikut ajror është një grusht shteti dhe se ka prapavijë politike, pasi disa persona që ndodhen aty janë të lidhur aktualisht me fushatën zgjedhore. Balluku tha se pas kësaj greve të jashtëligjshme qëndron Sali Berisha, i cili nxit këtë me qëllimin e vetëm që të mos lejojë zhvillimin e stërvitjes së NATO-s "Defender – Europe 21", të planifikuar më 26 prill.
Balluku ishte tepër e qartë ku sqaroi se kjo grevë nuk do të penalizojë as marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatët, pasi stërvitja ushtarake do të zhvillohet ashtu siç është parashikuar dhe se qeveria ka një plan që do të ndihmojë në zgjidhjen e shpejtë të situatës dhe rinisjen e fluturimeve. Për këtë grevë të jashtëligjshme ministrja Balluku tha se janë kallëzuar në prokurori organizatorët e saj që do të mbajnë përgjegjësi para ligjit për këtë dëm dhe penalizim që ata i sollën qytetarëve, shtetit dhe imazhit të vendit, duke tentuar të kërcënojnë me tekat dhe kërkesat absurde të një elite që dhe në kohë pandemia marrin një pagë prej 2490 dollarësh në muaj për person.
Sipas burimeve për Report TV janë kallëzuar në prokurori 3 organizatorët e kësaj greve, që janë kreu i sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror dhe dy kontrollorë të tjerë, të cilët më datë 12 prill do të japin edhe argumentet se pse kanë braktisur detyrën.Duke qenë se Kulla e Kontrollit është një ndërtesë e sigurisë së lartë, Balluku sqaroi se ushtria ka shkuar atje për të mbikëqyrur të gjithë situatën dhe ndërtesën.
Ditën e sotme kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet në Aeroportin e Rinasit. Ulja e pagave nga 4500 dollarë në 2400 dollarë të kontrollorëve të trafikut ajror ka ndodhur si pasojë e rënies së fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të pandemisë që ka sjellë pezullimin e tyre në të gjithë botën. Nga prilli 2020 paga e tyre ka pësuar ulje pasi vetë trafiku ajror ka rënë me -57 % ose thënë ndryshe aeroporti i Rinasit gjatë viti 2020 ka punuar me 43 % të trafikut ajror krahasuar me 2019.
