Pezullohet nga detyra punonjësja e 'Shqiponjave' që jeton tek banesa pranë 'Petro Ninit'

12 Mars 2019, 15:11

Pezullohet nga detyra efektivja e policisë që banon tek banesa pranë shkollës "Petro Nini". Drejtuesit e policisë së Tiranë, i kanë komunikuar sot gojarisht urdhrin e pezullimit me motivacionin se ka penguar punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës. Blerta Dervishi ishte punonjëse e policisë pranë Repartit "Shqiponja" në Policinë e Tiranës. Ajo banon bashkë me 14 persona të tjerë në ndërtesën tek 'Petro Nini', ndërsa ditën e djeshme Përmbarimi shkoi pranë tyre për t'i nxjerrë jashtë, pasi tokës ku është ndërtuar banesa i ka dalë pronari. Thuhet se ka vendim gjykate të formës së prerë, të cilin përmbaruesit shkuan ta ekzekutojnë një ditë pasi njoftuan familjarët të lirojnë banesën.

Blerta Dervishi dhe banorët e tjerë nuk pranuan të dalin nga banesa duke shkaktuar përplasje të forta me përmbaruesit. Skena të dhunshme që u bënë në sy të fëmijëve. Përmbarimi tentoi të hapë me dhunë derën e jashtme të banesës ndërsa pas saj gjendeshin familjarët duke mos e lejuar këtë veprim. Blerta Dervishi u filmua edhe një moment nga kamerat teksa i hoqi nga dora njërit prej banorëve, një sëpatë që mbante në dorë pas portës së hekurit. Ka shmangur në çdo moment përshkallëzimin e situatës në dhunë, por shpërblimi që mori ishte pezullimi nga detyra.