Piktori Maks Velo: Lëvizjet e artit primitiv, më çuan tek arti modern!

25 Shkurt 2020, 16:46

Piktori edhe arkitekti i njohur Maks Velo na rrëfen gjurmët e lëvizjeve të valltarëve, dasmorëve edhe gjëmëtarëve në albumin e botuar së fundmi “Vizatime shqiptare”. Teksa rikthehet në retrospektivë ai kujton se si në vitet 1957-’60 nëpërmjet marrëdhënieve të të moshuarve dhe të rinjve nga Veriu në Jug ka prekur fundin e një epoke biblike mijëravjeçare primitive në Shqipëri. Ky primitivitet ka qenë zbulimi i madh,që skundër tregon për “ReportTV” i ka hapur perden, ku luhej shfaqja e “Artit modern”.

“Unë kam marrë gjithmonë kënaqësi nga kontakti me këta njerëz. Fillimisht kam shkuar në ato vende që ishin më afër, tek gratë malësore të Tiranës, si në Shëngjergj dhe Shën Mëri. Ky kubizëm gjendej në artin popullor dhe vinte mijëra shekuj më parë, ndërsa arti zyrtar nuk e shpjegonte dot. Ato veshje popullore ishin shumë të rehatshme në lëvizje, jo se ishin bërë enkas për kubizëm. Kur të gjithë mendonin se çfarë bën Maksi? Ky ishte kontakti i parë me artin modern. Është arti primitiv që ka sjell modernitetin. Kështu ka ndodh edhe me kubizmin në Paris, në fillim impresionistët patën shumë kontakt me artin japonez, e më pas me atë afrikan”, rrëfen piktori Maks Velo.