Piktura e dedikuar heronjve të ‘luftës’ kundër COVID-19, shitet në ankand për 16.7 milionë paund në Britaninë e Madhe

24 Mars 2021, 16:48

BRITANI E MADHE- Heronjtë e vërtetë në këtë periudhë të vështirë pandemie që po përjeton njerëzimi janë mjekët dhe infermierët, të cilët përditë luftojnë në vijën e parë me armikun e të gjithëve, COVID-19.

Një pikturë “Game Changer” nga artisti Banksy, e dedikuar heronjve bashkëkohorë të COVID-19 është shitur në ankand nga një blerës anonim për 16.7 milionë paund dhe të ardhura do të shkojnë për personelin e shërbimit kombëtar shëndetësor në Britani.

Në pikturë shfaqet një fëmijë i cili ka “braktisur” Batmanin dhe Supermanin dhe po luan me heroin e vërtet të pandemisë, një infermiere.

"Çfarë simboli domethënës i asaj që kemi kaluar të gjithë dhe mbështetjes së pabesueshme të Shërbimit Kombëtar shëndetësor që kanë qenë aty për muaj të tërë”, u shpreh Jussi Pylkkanen, presidenti i shtëpisë së ankadnit Christie.

Piktura është vepra e fundit nga artisti i rrugëve e cila doli në ankand dhe tejkalon rekordin e mëparshëm prej 9.9 milionë paund.

 “Game Changer” do të qëndrojë e ekspozuar në spitalin Southampton General, në Britaninë e Madhe aty ku u shfaq për herë të parë .