Plagjiatura, artistët-Margaritit: Nëse heshtni për operën, nisim protestat. Ministrja: Logoja e kopjuar, problematikë e vogël

16 Shkurt 2021, 16:48 | Përditesimi: 16 Shkurt 2021, 16:48

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, Rashat Ibrahimi, do t’i dërgojë nesër ministres së Kulturës, Elva Margariti, një shkresë zyrtare për auditim të procesit të përzgjedhjes së logos së re të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, që është denoncuar publikisht si plagjiaturë. Nëse, pas kësaj kërkese Margariti do të heshtë, artistët do të vijojnë protestat

“Skandali mediatik që plasi në TKOB për logon e re të institucionit është një ngjarje shumë e dhimbshme. Dje u mblodhëm të gjithë krerët e sindikatave, të korit, ansamblit të valleve e të baletit që dolëm me këtë vendim: “Do t’i kërkojmë Ministrisë së Kulturës zyrtarisht që të dërgojë në mënyrë urgjente auditin, që të verifikohen të gjitha problemet që trajtohen në lidhje me këtë skandal”. Më pas ne do i kërkojmë MK që një kopje të audit t’ia depozitojë Sindikatës, e cila do të marrë vendim nëse do të duhet  t’i drejtohet Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të vërtetuar se ku kanë shkuar lekët e shqiptarëve. Nëse MK heshtë, ne do të nisim protestat njëorëshe, më pas një ditë e më tej”, thotë kreu i Sindikatës së Pavarur të Artistëve, Reshat Ibrahmi.

Ndërsa, artistët më në zë, e cilësojnë të pavend heqjen e logos së vjetër edhe kërkojnë rikthimin e saj, sepse logoja e re nuk përfaqëson asgjë për institucionin

“Sinqerisht kam menduar, se s’ka pas arsye për të cilën duhet ndërruar logoja, sepse e vjetra i kishte të gjithë elementët brenda. Megjithatë duhet të them, se ajo nuk është logoja historike e TKOB, që në ditën e parë të tij, se është ndryshuar nëpër vite. Është një rishikim i saj në vitet ‘80 dhe ka ardhur, duke u përmirësuar deri në vitin 2020. Logoja që ishte para këtij, ka qenë logo e 2003-shit, vënë për 50-vjetorin e TKOB. Mendimi im është që nuk duhet të ndryshonte, se është imazhi i një institucioni kulturor.  Logoja e re nuk është përfaqësuese, sepse që ta kuptosh duhet që të lexosh shpjegimin që i ka dhënë autori. Por, një logo duhet të flas vet, nuk ka nevojë që të interpretohet. I kërkojmë ministrisë që të kryejë detyrën e saj, edhe të bëhen të gjitha verifikimet e rastit. Mesa kam dijeni edhe vet institucioni i Operas e kërkon një gjë të tillë”, shprehet pianistja Etrita Ibrahimi.

b.ha./Shqiptarja.com