Plagosen në atentat prokurori i Durrësit dhe 'i forti' i Shijakut!

1 Nëntor 2019, 22:44

DURRES - I bëhet atentat prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, të vënë së fundi në qendër të akuzave politike, përmendur nga vetë kryeministri Edi Rama si prokurori që mbështet bandat kriminale dhe i bën presion nëpunësve të shtetit në favor të grabitjes së pronave nga krimi. Prokurori ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Shijakut", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, aktualisht shofer i prokurorit. Makinës Benz me targë AA 33 ZD (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet, duke i lënë të tre të plagosur, ngjarje e ndodhur këtë të premte rreth orës 16:30.

Pas breshërisë së tetë plumbave makina ka dalë nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private, një Benz CLS që dyshohet se ishin të njohur të të plagosurve. Më rëndë ndodhet shoferi Andi Maloku 30 vjeç, i cili ka marrë një plumb në gjoks dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, po marrin trajtim në spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 48-vjeçari Landi Muharremi është me precedentë penalë, i dyshuar si i përfshirë në 2016-ën në rrahjen e një biznesmeni libanez i cili do të investonte përmes ndërtimit të një kompleksi në Gjirin e Lalzit, tokë mbi të cilën Muharremi pretendonte pronësinë.Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja është bërë një personazh i njohur në muajt e fundit, si i përfshirë në skandalin e pronave në Gjirin e Lalzit për lidhje kriminale, që u denoncua nga kryeministri Edi Rama, por opozita e mori në mbrojtje duke e cilësuar si presion të kreut të qeverisë ndaj drejtësisë. Kreu i qeverisë e futi Ndojën në grupin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që "e shfrytëzojnë pushtetin me moton "të kapim çfarë të kapim" (KÇK) "për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale" - "Drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, shprehej Rama në atë kohë.

Policia është vënë në kërkim të autorëve, për të cilët nuk shprehet nëse janë identifikuar apo jo.

    No videos found.