Plani i fshehtë për deportimin e gylenistit, si dështoi Turqia në 2017 me ekstradimin e mësuesit të gjeografisë

4 Janar 2020, 17:10

Harun Çelik, mësuesi turk i deportuar pa zhurmë nga Shqipëria në drejtim të Turqisë, ishte planifikuar prej kohësh për t'u marrë në fshehtësi të plotë nga shërbimi sekret turk, thonë burime konfidenciale për Shqiptarja.com. Turqia e udhëhequr nga Erdogan, po gjurmon në disa shtete të Ballkanit shumë personazhe që ajo i lidh si pjesë e “Gylenistëve” të imamit Fetullah Gülen, armiku numër një i Erdoganit, aktualisht i strehuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi e akuzon për grushtin e shtetit në 2016. Gulen konsiderohet në Turqi si kreu i “Organizatës Terroriste Fetullhaiste”.

Për deportimin e Harun Çelik, Shqiptarja.com, tentoi të komunikojë me drejtorin e Burgjeve, por ai refuzoi të japë një koment në lidhje me marrjen nga ambientet e një paraburgimi në Tiranë të Harun Çelik. E njëjta situatë heshtje është dhe për sa i përket prokurorëve të çështjes, të cilët refuzojnë të japin shpjegime, për këtë situatë të paprecedent të deportimit të një shtetasi të huaj, nga Shqipëria në drejtim të Turqisë.

I vetmi që pranon të flasë është avokati i Harun Çelik, Alban Bengasi, i cili shprehet se:“…nuk më kanë njoftuar aspak për këtë operacion. Nuk më kanë njohur me asnjë dokument apo procesverbal të dorëzimit tek autoritet turke të klientit tim Harun Çelik". Sipas avokatit, ai në Shqipëri nuk ka asnjë mundësi ligjore të kundërshtojë në gjykatat shqiptare këtë deportim të paligjshëm, pasi gjithçka është kryer në mënyrë të fshehtë dhe pa ndjekur asnjë procedurë ligjore, siç i takon të kryhet me ligj në të tilla raste.

Planifikimi i parë për deportim të mësuesit të gjeografisë
“Shqiptarja.com” mëson se ky nuk është rasti i parë që shërbimet e fshehta turke, kishin planifikuar deportimin nga Shqipëria në Turqi, të personave që ata i quajnë “Gylenistë” dhe të rrezikshëm për qeverinë e Erdogan. Verifikimet e bëra nga “Shqiptarja.com” mësohet se i pari mësues i cilësuar si “gylenist” dhe që ishte planifikuar të deportohej në Turqi, ishte mësuesi i gjeografisë Muhammet Yasir Aydogmus.

Ky i fundit është arrestuar në vitin 2017 dy herë në Shqipëri, dhe pasi ka dalë nga burgu nga gjykata me masën e “detyrimit për paraqitje”, është larguar menjëherë duke humbur gjurmët në Shqipëri. Një veprim i tillë solli dhe dështimin e ekstradimit në Turqi të mësuesit të Gjeografisë, ndërkohë e kundërta ndodhi me mësuesin tjetër, Harun Çelik, që u mbajt në burg, dhe sapo përfundoi dënimin në Shqipëri për akuzën e “falsifikimit të pasaportës”, u deportuar menjëherë në Turqi, pa kryer asnjë procedurë ligjore. Nëse edhe Muhammet Yasir Aydogmus, do ishte mbajtur në burg nga gjykata e Durrësit, ka shumë gjasa që të kishte të njëjtin fat me kolegun e tij, Harun Çelik, që disa ditë më parë u deportua në fshehtësi të plotë dhe pa gjyq në Turqi.

Kush është Muhammet Aydogmus dhe si arriti ti shpëtojë ekstradimit
Muhammet Yasir Aydogmus është shtetas turk me profesion mësues Gjeografie. Në datën 7 tetor 2017, ora 23:00 ai është ndaluar së bashku me bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e tyre teksa kanë tentuar të kalonin kufirin në Portin e Durrësit për në Itali, nëpërmjet tragetit Durrës-Bari. Nga verifikimet e kryera nga oficerët e policisë së pikës kufitare është dyshuar se të katërta pasaportat e përdorura nga Muhammet Yasir Aydogmus, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij ishin të falsifikuara.

Në këto kushte policia ka arrestuar në flagrancë në 8 tetor 2017 mësuesin Muhammet Yasir Aydogmus dhe bashkëshorten e tij. Në 9 tetor 2017, prokuroria e Durrësit ka paraqitur në Gjykatën e këtij qyteti kërkesë për vleftësimin e ligjshëm të arrestit të Muhammet Yasir dhe gruas Nermin Aydogmus dhe caktimin e masës së sigurimit personal për të dy këta persona, duke qenë se ata dyshohen për kryerjen e dy veprave penale në territorin e Shqipërisë, atë të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit”. Për llogari të procedimit penal për dy veprat e mësipërme, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal të “Arrestit në burg” ndaj Muhammet Yasir Aydogmus dhe atë të “Ndalimit dhe detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”, për bashkëshorten e tij Nermin Aydogmus.

Në këtë gjykim mësuesi Muhammet Yasir Aydogmus, ka pranuar faktin se ka falsifikuar të katër pasaportat për të gjithë anëtarët e familjes së tij, pasi atij dhe familjes i rrezikohej jeta për shkak të faktit se ai ishte mësues dhe kolegji, ku ai jepte mësim ishte mbyllur nga shteti turk për motive politike. Pasi ka shqyrtuar kërkesën e mësipërme të Prokurorisë në 11 tetor 2017, Gjykata e Durrësit ka dhënë vendimin për Muhammet Yasir Aydogmus duke vendosur të vlerësojë të ligjshëm arrestit në flagrancë. Por për shkak se mësuesi, ka paguar një garanci pasurore prej 1 milion e gjysëm lekë të vjetra, gjykata ka urdhëruar që profesori turk dhe gruaja e tij të lihen të lirë, duke caktuar masën e “detyrimit për paraqitje”. Në vendimin e gjykatës së Durrësit të cilën “Shqiptarja.com” e disponon thuhet se: ”Urdhërohet shtetasi turk Muhammet Yasir Aydogmus të paraqitet të hënën e parë e të tretë të çdo muaji para oficerit të policisë gjyqësore nga ora 11:00-12:00.