Plani i mazhorancës/ Vetingut do zgjatet përtej vitit 2022, janë edhe 500 gjyqtarë dhe prokurorë pa u verifikuar

14 Nëntor 2020, 17:02 | Përditesimi: 14 Nëntor 2020, 17:02

Mazhorana qeverisëse ka në plan për të zgjatur procesin e Vetingut përtej vitit 2022 deri kur të verifikohet prokurori dhe gjyqtari i fundit në sistemin e drejtësisë. Organet e Vetingut u konstituuan në qershor të vitit 2017, ku deri më sot, nga rreth 800 magjistratë, kanë kaluar në filtër 308 subjekte, përfshirë edhe 50 dorëheqje. Mandati i anëtarëve të shkallës së parë të Vetingut (KPK), mbaron në qershor të vitit 2022, ndërsa i shkallës dytë (KPA) në vitin 2026. Nisur nga ecuria e deritanishme dhe nga fakti për disa gjyqtarë procesi i verifikimit ka zgjatur deri në dy vjet, është e pamundur që rreth 500 subjektet e mbetura të verifikohen deri në qershor 2022.

Në këtë kushte, gjatë kësaj jave, kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkalla e parë e Vetingut, Pamela Qirko, i kërkoi Parlamentit të t’i shtojë KPK-së edhe 12 këshilltarë ligjorë, për të përshpejtuar procesin e verifikimit. “Jemi një institucion me mandat 5-vjeçar, nga i cili pritet që të ezaurojë rivlerësimin e 800 subjekteve. Për realizimin e këtij mandati, ne kemi konstatuar disa nevoja. Në këto kushte vlerësojmë sa ne na duhet një rritje me 12 këshilltarë ligjorë. Nuk kërkojmë as shoferë dhe as pastruese, por staf që bën punën. Nga 12 këshilltarë ligjorë dhe 12 ekonomikë që janë aktualisht, kërkojmë edhe 12 të tjera, ku e gjithë njësia të shkojë në 36. Kjo është për të përmbyllur mandatin”,  ka pohuar Qirko.

b.ha./Shqiptarja.com