Platforma e Bashkëqeverisjes, kryeministri Rama bën paralajmërimin e fortë për administratën: Jeni të vëzhguar!

6 Qershor 2018, 13:29 | Përditesimi i fundit: 2018-06-06 15:43:33

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se 150 punonjës të administratës janë ndëshkuar deri tani, pas denoncimit të qytetarëve në ‘platformën bashkëqeverisëse’. Kreu i qeverisë theksoi se do të vijojë pastrimi i administratës, derisa të ketë zero vonesa dhe zero ryshfet.

Ai ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve të ngrenë zërin e tyre për të adresuar problemet, duke shtuar se qëllimi i ‘platformës bashkëqeverisëse’ nuk është vetëm zgjidhja e problemeve, por edhe identifikimi i atyre punonjësve që janë mbartës të zakoneve të këqija dhe që shkelin të drejtat e qytetarëve.

Sa më shumë qytetarë të angazhohen për të ngritur zërin e tyre, për të adresuar ankesat e tyre direkt te anëtari i qeverisë që mbulon sektorin nga ku vjen shqetësimi, aq më shpejt do kemi një administratë që do shërbejë me zero ryshfet. Mund të ktheheni në njerëz që keni gjithëfuqinë për të zgjidhur problem, duke pasur mik drejtpërdrejtë qeverinë. Qëllimi i platformës është i dyfishtë, jo vetëm të zgjidhim problemet, por edhe të identifikojmë ata që janë mbartës të zakoneve të këqija dhe që shkelin të drejtat e qytetarëve.

Sot numërojmë 10 mijë raste të regjistruar në platformë, por janë rreth 150 raste punonjësish të administratës që kanë marrë ndëshkimet e merituara, që nga ndjekjet penale deri te paralajmërimet nga puna. Është një numër ende shumë i vogël, sepse duhet të luftojmë çdo ditë së bashku me mbrojtjen që u bëhet shpesh punonjësve të administratës që janë shkaktarët e shqetësimeve të qytetarëve. Do jetë qytetari ai që do të imponohet me forcën e ligjit dhe administrata do funksionojë në bazë të ligjit. Pra, do shkojmë në zero vonesa dhe zero ryshfet.

    No videos found.