Plazhi këtë vit ndryshe: Çadrat 3.5 metër larg nga njëra-tjetra, dy persona në shezlonge

2 Maj 2020, 13:44 | Përditesimi i fundit: 2020-05-02 15:32:23

Sezoni turistik është shumë pranë, por në kushtet e pandemisë së koronavirusit të bërit plazh për shqiptarët do të jetë shumë e vështirë, madje dhe me shumë kosto.

Në dokumentin që "Shqiptarja.com" ka siguruar mbi protokollet rigoroze që duhet të ndjekin bizneset gjatë sezonit turistik thuhet se çadrat duhet të jenë 3.5 metra larg nga njëra tjetra.

Në çadër nuk do të ketë më shumë se dy persona dhe vetëm nëse janë nga e njëjta familje do të lejohen.

Të gjithë pushuesve do t'u matet temperatura dhe do të plotësojnë një formular para se të futen në plazh, kjo do të thotë që mund të kemi edhe stafe mjekësore.

Shqipëria në sezonin veror të vitit 2020 do të jetë krejt ndryshe nga çfarë kemi parë vitet e kaluara. Shqiptarët nuk do të kenë mundësi të argëtohen nëpër plazhe. Nuk do të ketë "beach bar" apo " schiuma party". Kjo do të bëjë akoma më të vështirë një sezon veror për të rinjtë shqiptarë, të cilët kur vjen puna tek argëtimi, nuk kursehen.