'Po bëni inspektime selektive', Balla: Nga 3,498 kontrolle, vetëm 42 gjoba, duhet reformim total

15 Prill, 10:10

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka folur për inspektime selektive të zjarrfikësve sa i takon kontrolleve në biznese dhe ambiente të mëdha publike me qëllim pasjen e mjeteve për ndërhyrjen e shpejtë në raste zjarri. "Në vitin 2023 janë kryer 3,498 inspektime dhe diferenca me masat administrative është shumë e madhe, janë vendosur vetëm 42 masa. Nuk e besoj dot se ka kaq pak shkelje. Shoh dy mundësi, ose inspektimet janë selektive tek subjektet që nuk kanë probleme, ose janë kryer pa analizuar problemet reale. Nëse nuk bëhet inspektimi në një ndërtesë dhe aty ndodh një fatkeqësi, janë kushtet e shpërdorimit të detyrës", nënvizoi ministri. Ministri tha se duhet plotësuar baza e plotë nënligjore për rekrutimet, trajnimet, menaxhimin e të dhënave, si dhe përmirësimin e transparencës së inspektimeve ndaj bizneseve. dhe apeloi për integritetin e inspektorëve të MZSh dhe reformim total të Shërbimit Zjarrfikës, në nivelin inspektues në shkallë vendi.