Po fryn era e SPAK! 8 prokurorët takime konsultimi me OPDAT dhe ambasadën e SHBA

12 Nëntor 2019, 22:39

Tetë prokurorët që kanë kaluar etapat e monitorimit dhe që janë zgjedhur për të qenë pjesë e strukturës së Prokurorisë Anti-Korrupsion, tashmë kanë filluar konsultimet me përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Këto konsultime kanë ardhur gjatë takimeve të zhvilluara ditët e fundit, njëri prej të cilëve në qytetin e Pogradecit. Konsultimet me përfaqësues të misionit OPDAT dhe ekspertë juridikë të Ambasadës Amerikane janë kryer në kuadër të ngritjes nga fillimi të institucionit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e cila pritet të ngrihet zyrtarisht dhe me eficencë pune të plotë në fillim të muajit dhjetor 2019.

 Një burim pranë grupit të prokurorëve që tashmë janë zgjedhur si pjesë e grupit që do formojë SPAK, tha për “Shqiptarja.com” se takimet konsultative janë kryer në vazhdën e diskutimeve për krijimin e rregulloreve të brendshme por edhe për sa i përket kritereve të konkurrimit dhe përzgjedhjes së administratës publike që do shërbejë pranë prokurorisë antikorrupsion.

Në takime është diskutuar edhe për sa i përket fatit të Oficerëve të Policisë Gjyqësore që vazhdojnë të shërbejnë pranë Krimeve të Rënda, dhe rolin e tyre në disa hetime të rëndësishme që vijojnë të jenë në dinamikë e sipër.

Sigurisht që pjesë e këtyre diskutimeve ka qenë dhe dorëzimi i dosjeve penale që e gjithë trupa e prokurorëve të Krimeve të Rënda,ka aktualisht në hetim. Veç të tjerash një pjesë e madhe e këtyre dosjeve do ju kalohet prokurorive të rretheve.

Krijimi i takimeve konsultative mes prokurorëve dhe përfaqësues të ambasadës amerikane, tregon edhe një herë tjetër vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të çuar deri në fund reformën në Drejtësisë, ku pritet të aplikohen praktika hetimore me qëllim arrestimin e zyrtarëve të lartë të qeverisë por jo vetëm, të akuzuar për korrupsion dhe si të lidhur me krimin e organizuar. Këto takime tregojnë edhe një herë tjetër se nga dita në ditë, po jepen sinjale se në Shqipëri po fryn era e prokurorisë SPAK, e cila do të ketë rolin dhe mbështetjen kryesore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.

Momentalisht SPAK është e përbërë nga 8 prokurorë, ku pritet që në ditët në vijim t'i shtohen dhe dy prokurorë të tjerë, të cilët ka shumë gjasa do komandohen nga drejtuesi i prokurorëve, që do zgjidhet në krye të SPAK.